Specialisti i futbollit Vasil Bici në prag të nisjes së sezonit të ri vlerëson se futbolli i sotëm po udhëhiqet gjithnjë e më shumë nga faktorë si financat,organizimi dhe serioziteti i klubeve.
Sipas tij tradita është e rëndësishme por nuk mjafton më për të garantuar sukses pasi skuadrat që kanë stabilitet ekonomik dhe një projekt të qartë janë ato që bëjnë diferencën.
Bici thekson se merkatoja, cilësia e lojtarëve dhe marrëdhëniet mes drejtuesve, stafit teknik dhe skuadrës do të jenë elementët përcaktues të ecurisë së ekipeve gjatë sezonit.
Ai vlerëson se klubet që arrijnë të ndërtojnë një strukturë të qëndrueshme kanë më shumë mundësi për të qenë protagoniste.
Duke folur për trajnerët ai nënvizon se të rinjtë sjellin ide të reja dhe metodologji moderne ndërsa trajnerët me eksperiencë kanë në favor vitet e punës dhe aftësinë për të menaxhuar situata të ndryshme dhe sipas tij suksesi nuk varet nga mosha por nga profesionalizmi dhe puna.
Për sa i përket futbollistëve të huaj Bici mendon se futbolli duhet të bazohet te merita sportive dhe jo te ndarja mes vendasve dhe të huajve.
Në fushë duhet të luajë ai që ka cilësitë më të mira dhe që e meriton vendin me performancën e tij.
Në analizën e tij Bici sheh si shembull të rëndësishëm klubet që kanë kombinuar investimin financiar me organizimin dhe përkushtimin ndërsa për garën e sezonit të ri thekson se do të jetë interesante me diferencën që do ta bëjnë stabiliteti, merkatoja dhe serioziteti në punë.
Jemi në prag të fillimit të sezonit të ri çfarë kampionati prisni këtë vit dhe a mendoni se do të jetë më konkurrues se ai i kaluar?
Sapo përfundoi një periudhë shumë interesante për futbollin botëror dhe tashmë jemi në prag të nisjes së sezonit të ri. Në futbollin e sotëm faktori kryesor mbetet ai financiar skuadrat që kan mundësi ekonomike më të mëdha arrijnë të bëjnë merkato cilësore dhe të ndërtojnë ekipe konkurruese sepse sot nuk funksionon më vetëm tradita por organizimi dhe financat. Ky fenomen u pa edhe në futbollin ndërkombëtar ku skuadra me histori dhe traditë të madhe nuk arritën sukseset e pritshme ndërsa në plan të parë dolën ekipet më moderne më produktive dhe më të organizuara sipas kërkesave të futbollit bashkëkohor. Edhe në futbollin shqiptar po ndodh e njëjta gjë ku shumë skuadra me traditë kan kaluar në plan të dytë apo të tretë ndërsa klubet që kan seriozitet financiar dhe organizim të mirë po marrin protagonizmin.
Merkatoja ka sjellë shumë lëvizje te klubet e Superiores a mendoni se skuadrat janë përforcuar realisht apo ende ka diferenca të mëdha mes pretendenteve dhe ekipeve të tjera?
Merkatoja është një element shumë i rëndësishëm në ndërtimin e një skuadre por vetëm afrimet nuk mjaftojnë. Duhet një kombinim mes cilësisë së lojtarëve organizimit të klubit dhe mënyrës se si funksionon grupi. Një skuadër që ka seriozitet financiar një staf të përkushtuar dhe një drejtim të qartë ka më shumë mundësi të ecë përpara dhe të ndërtojë rezultate të qëndrueshme.
Sa ndikim do të kenë trajnerët e rinj në ecurinë e skuadrave dhe cili projekt ju duket më interesanti deri në këtë moment?
Trajnerët e rinj sjellin gjithmonë një frymë të re ide moderne dhe metodologji të reja pune. Ata vijnë me dëshirën për të sjellë ndryshime dhe një filozofi tjetër në skuadrat që drejtojnë. Nga ana tjetër trajnerët me përvojë kanë vitet e punës mbi supe njohjen e kampionatit dhe aftësinë për të menaxhuar situata të vështira gjatë një sezoni. Në fund nuk është mosha ajo që përcakton suksesin por profesionalizmi puna dhe aftësia për të nxjerrë më të mirën nga një skuadër.
Në sezonet e fundit kemi parë një rritje të numrit të futbollistëve të huaj si e vlerësoni këtë fenomen dhe çfarë ndikimi ka ai te zhvillimi i lojtarëve shqiptarë?
Mendoj se futbolli është një lojë e lirë dhe nuk duhet t’i vendosim barriera ndarjes mes vendasve dhe të huajve. Në fushë duhet të luajë ai që ka aftësitë më të mira dhe që arrin të tregojë më shumë cilësi në lojën e futbollit dhe mendoj se nuk duhet të bëjmë klasifikime të tilla pasi futbolli duhet të bazohet te merita sportive. Lojtarët shqiptarë kan treguar ndër vite se mund të luajnë në skuadra të mëdha edhe pa qenë të diktuar nga rregulla të tilla. Ata jan afirmuar që në moshë të re sepse e kanë mbrojtur me profesionalizëm dhe cilësi pozicionin që u është besuar.
Cilat jan elementet që sipas jush do të përcaktojnë garën për titull dhe luftën për mbijetesë në sezonin që pritet të nisë?
Elementët përcaktues të ecurisë së skuadrave do të jenë financat e klubit merkatoja dhe serioziteti në marrëdhëniet mes stafit teknik dhe skuadrës. Një klub që ka stabilitet financiar organizim të mirë dhe marrëdhënie korrekte mes drejtuesve trajnerëve dhe lojtarëve ka më shumë mundësi për të arritur objektivat.
Nëse do të bënit një parashikim sot cilat skuadra i shihni si favorite për titull dhe cilat mendoni se mund të jenë surprizat e kampionatit?
Nëse skuadrat arrijnë të ruajnë grupet aktuale dhe vazhdimësinë e punës është e vështirë të flitet për surpriza të mëdha. Një ekip që ka stabilitet organizim dhe cilësi ka gjithmonë avantazh. Paraqitjet e fundit europiane tregojnë se skuadrat shqiptare mund të konkurrojnë dhe të zhvillojnë ndeshje të mira edhe përballë kundërshtarëve me më shumë eksperiencë. Në fund diferencën do ta bëjnë serioziteti i klubit cilësia e merkatos dhe mënyra se si do të funksionojë grupi gjatë gjithë sezonit.
Fatos LAMAJ


