Saturday, July 27, 2024

(Intervista) Zogoviç: Mirë do të ishte ndeshja e parë të luhej në Rumani, por besoj shumë në kualifikimin e Vllaznisë

Lexo

Malazezi i Vllaznisë, Bojan Zogoviç është ndër titullarët kryesore që është planifikuar të jetë në portë nga minuta e parë në sfidën e parë ndaj rumunëve të Universitatesë së Craiovës. Në intervistën e dhënë për Panorama Sport, Zogoviç thotë se mirë do të ishte që ndeshja e parë të luhej jashtë dhe e dyta në Shkodër, por gjithëseso beson shumë në kualifikimin e skuadrës kuqeblu.

Bojan, gati një muaj përgatitje për ndeshjen me Universitatea Kraiovën. Si ju duket ekipi?
Mendoj se kemi bërë përgatitje të shkëlqyera. Kemi punuar shumë në Austri, edhe pse kishte ngarkesa të mëdha në stërvitje. Përshtypja është pozitive, të paktën me atë që shikoj unë. Çdo gjë është në një nivel të mirë. Mendoj se kemi vërtet një ekip të mirë.

E keni studiuar ekipin rumun gjatë kësaj periudhe?
Po, kemi parë situata të caktuara të kundërshtarit. Sigurisht që do t’i analizojmë më tej me profesorin, por tani për tani kemi informacionin bazë rreth tyre dhe e dimë se çfarë na pret.

Sa shanse ka Vllaznia për t’u kualifikuar ndaj një kundërshtari të tillë dhe të kalojë të paktën një tur, siç bëri edhe në edicionin e kaluar?
Këtë do ta shohim se sa të aftë jemi. Megjithatë, këto janë dy ndeshjet e para zyrtare të sezonit dhe duke parë nivelin e kundërshtarin mendoj se kemi një shans të mirë për t’u kualifikuar. Ata janë të fortë, por edhe ne jemi të tillë.

Ndeshja e parë luhet në Shkodër, mos ndoshta do të preferonit më mirë ta kishit në transfertë?
Sigurisht që do të ishte më mirë për të luanim ndeshjen e kthimit në fushën tonë në Shkodër, por ky nuk është problem. Unë pres që të ketë një atmosferë të mrekullueshme në stadium dhe të festojmë të gjithë së bashku pas ndeshjes.

Çfarë prisni të arrini në sezonin e ri si pjesë e Vllaznisë, në një kohë që keni fituar dy kupa?
Pres të kemi rezultate më të mira se sezoni i kaluar. Sigurisht që fituam kupën dhe sezoni që lamë pas nuk ishte i pasuksesshëm. Gjithsesi, pres që të jemi më mirë dhe të bëjmë diçka të madhe në kampionat.

Ekipin e shikoni më të fortë se vjet në cilësi?
Ne kemi një ekip të fortë dhe të gjithë po i përshtaten stilit që kemi. Nuk është kompetenca ime të them nëse na duhet ndonjë lojtar tjetër për t’u fuqizuar. Gjëja më e rëndësishme është që Vllaznia të ketë rezultate.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img