Monday, April 29, 2024

(Intervista)Analiza e Presidentit, Alban Xhaferi. Kritika për pjesën e parë të sezonit, premtim për merkato të fuqishme dhe besim për ndryshim duke filluar nga fitorja me Partizanin këtë të premte

Lexo

I gjendur jashtë vendit gjatë periudhës së ndryshimit të viteve, pas kthimit në Shqipëri, Presidenti i KF Vllaznia, Alban Xhaferi, ka bërë një analizë të përgjithshme për skuadrën që financon. Duke folur për gazetarin e Panorama Sport, Jorgis Memo, njëshi i klubit kuqeblu, shprehet kritik për ecurinë e skuadrës në pjesën e parë të sezonit, por në të njëjtën kohë duke premtuar edhe për një merkato të fuqishme të këtyre ditëve, beson shumë në ndryshimin e situatës duke filluar që nga kjo e premte në transfertën me Partizanin. Xhaferi komentoi gjithashtu edhe çështjen e shumë diskutuar “Vulaj”, për të cili theksoi se ka qënë ai që ka këmbëngulur të vishej kuqeblu, por tashmë edhe mund të huazohet në ndonjë skuadër tjetër.

Alban, pas 15 javësh kampionat jeni 7 pikë larg kreut. Si do ta cilësonit këtë periudhë, çfarë ju ka zhgënjyer më shumë?

Në radhë të parë dëshiroj të analizoj ekipet në përgjithësi këtë sezon, ku diferencat janë të vogla, gjë që pasqyrohet edhe në renditje. Pikët nuk përbëjnë shumë diferencë të madhe nga kreu deri te fundi i tabelës. Për më tepër, përveç skuadrave me emër si Tirana, Partizani, Vllaznia dhe Laçi, kemi edhe ekipe si Egnatia, Erzeni dhe Kastrioti, që po bëjnë një performancë mbresëlënëse. Në këtë kontekst, mendoj që Vllaznia ka pasur luhatjet e veta, duke bërë ndeshje shumë pozitive, por gjithashtu ndeshje ku performanca ka qenë e dobët dhe me rezultate zhgënjyese. Gjithashtu, dëmtimet e disa lojtarëve kryesorë kane ndikuar në rezultate dhe performancë. Jemi në një pozicion jashtë pritshmërive, por shpresoj të bëjmë shumë më tepër në pjesën e mbetur.

Çfarë i keni kërkuar trajnerit Josa pas kësaj ecurie?

Kemi bërë disa takime me stafin teknik. Trajnerit Josa i kam shprehur parimisht pakënaqësitë e mia në lidhje me pozicionin aktual në renditje, në raport me objektivat që kemi vendosur në fillim të kampionatit. Sigurisht që kemi bërë një analizë të hollësishme për përmirësimin e punës dhe ndryshimin e situatës me qëllim arritjen e objektivave. Gjithashtu, një pjesë e rëndësishme e diskutimeve ka qenë edhe krijimi i hapësirave ndaj lojtarëve të rinj që kanë potencial dhe mund të kontribuojnë për ekipin. Ne besojmë tek i gjithë kontingjenti aktual i të rinjve që janë nën kontratë me klubin Vllaznia dhe shembulli i Alivodës e Smajlit, të cilët po marrin minuta, duhet të ndiqet qoftë nëpërmjet përpjekjeve të këtyre të rinjve që duhet ta meritojnë aktivizimin, por edhe me mbështetjen, inkurajimin dhe besimin e stafit teknik.

Objektivat er Vllaznisë janë të njëjtët apo kanë ndryshuar?

Objektivat e Vllaznisë mbeten për të luftuar deri në fund për fitimin e trofeve, si dhe të lojtarëve tgë rinj. Nuk ka pse të kemi ndryshime në këtë pikë.

Nuk keni bërë ende asnjë lëvizje në merkato, çfarë plani keni si klub?

Unë, e kam thënë edhe më parë, që për vetë sepcifikën që ka merkatoja e janarit është e vështirë për të plotësuar ato pozicione që ne kemi realisht nevojë. Eksperienca e dy viteve të kaluara e ka treguar më së miri këtë, ku nuk kemi fituar ndonjë element të veçantë. Po synojmë që të bëjmë një merkato sa më të zgjuar dhe eficiente, për të goditur realisht aty ku kemi nevojë.

Ku ka më shumë nevojë Vllaznia?

Më konkretisht në pozicionin e qendërsulmuesit. Jemi në negociata të vazhdueshme dhe jam optimist që deri në mbylljen e merkatos, do të ketë goditje në këtë pikë. Gjithashtu, jemi në kontakt edhe me menaxherë të fuqishëm dhe klube me emër për të realizuar transferta të rëndësishme nga lojtarët tanë. Ne kemi lojtarë cilësorë në ekipin e parë, ashtu edhe të rinjtë që janë bashkangjitur, të cilët janë potencialisht mundësi shumë e mirë transferimi në liga më cilësore në Europë apo edhe Azi. Gjithashtu edhe nga Arabia Saudite ka një interes në rritje për tregun ballkanas dhe veçanërisht me klubin tonë ka një intensifikim të kontakteve.

Josa deklaroi se merkatoja e Vllaznisë varet nga largimet. Po hasni problem në zgjidhjen e kontratave me ata që nuk i keni më në plane?

Për të gjithë lojtarët nën kontratë, klubi duhet të përmbushë detyrimet e veta në përputhje me të gjitha rregulloret  në fuqi të FIFA-s. Në këtë pikë KF Vllaznia është model dhe që nga fillimi I drejtimit të klubit nga ana e ime dhe deri tani nuk kemi asnjë proces në FIFA dhe asnjë detyrim të papërmbushur. Parimi ynë shtë gjithmonë që problemet t’i zgjidhim me mirëkuptim, me marrëveshje të dyanshme, jo vetëm duke mbrojtur interesin e klubit, por edhe duke mirëkuptuar edhe pozicionin e lojtarëve. Prandaj, nuk është e thënë të kemi vetëm shkëputje kontratash, por ne po studiojmë edhe mundësinë e huazimeve në klube të tjera, të cilat janë të interesuara të marrin shërbimet e lojtarëve tanë. E theksoj edhe publikisht, që plotësimi me lojtarë që nevojiten në funksion të përmbushjes së objektivave, nuk varet absolutisht nga vazhdimësia e marrëdhënies sonë me lojtarët e tjerë. Unë mirëkuptoj plotësisht stafin teknik, përfshi edhe trajnerin Josa, prononcimet e të cilëve kanë qënë në konteksin e minimizimit të kostove dhe për të krijuar një balancë për hyrje-daljet.

OK, por çfarë do të ndodhë me sulmuesit Aralica dhe Kaina apo mesfushorin Heriç, që janë përfolur për t’u larguar?

Nuk ka asnjë të veçantë në këtë pikë. Të tre janë lojtarë nën kontratë dhe qasja e jonë është e njëjtë, siç e përmenda edhe më lart.

Kristian Vukaj erdhi me bujë, nuk preferohet nga trajneri. A keni biseduar me lojtarinh dhe çfarë do të ndodhë?

Unë kam një marrëdhënie shumë speciale me lojtarin, aq më tëpert që kam qënë një ndër iniciatorët kryesorë për ardhjen e tij në Shkodër, duke njohur edhe anën njerëzore të tij, që është një djalë shembullor. Sigurisht që nuk jam i lumtur nga mënyrë se si kemi ardhur deri këtu, por kjo mbetet një analizë edhe e stafit teknik, që kanë lidhje me përformancën, skemat e lojës etj, Unë nuk jam përfshirë në këtë pikë, por personalisht ia kam vënë në dukje trajnerit Josda dhe drejtorit teknik, pakënaqësitë e mia, ashtu siç mund t’ia shfaq për çdo lojtar tjetër të Vllaznisë. Nuk mendoj absolutisht se duhet të ketë një diskutim për preferencë apo mospreferencë. Pastaj, në kontekstin e mundësive, sigurisht që huazimi mund të jetë një opsion.

Më lart deklaruat që do të afroni një qëndërsulmues. U keni bërë ofertë lojtarëve shkodranë, si Bekim Balaj apo Erald Çinari?

Jemi në periudhë merkatoje dhe nuk dua të flas me emra konkretë, pasi janë çështje negociatash, por ju siguroj që po punohet për më të mirën. Sigurisht, lojtarët si Balaj dhe Çinari mund të jenë një mundësi shumë e mirë për Vllanzinë, aq më tepër që janë edhe shkodranë.

Të premten luani me Partizanin, çfarë ndeshje prisni?

Luajnë dy skuadra me histori dhe emër të madh, që kanë një peshë të rëndësishme në futbollin shqiptar. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin e ri të Partizanit dhe me këtë rast dua t’i uroj që ta gëzojnë këtë investim të rrallë të presidentit Demi, që është kënaqësi më vete. Unë pres një përballje të fortë dhe mbi të gjitha një ndeshje të bukur, duke pasur parasysh pozitën e të dyja ekipeve. Sigurisht që na duhet rezultati pozitiv dhe ne do të luftojmë që ta arrijmë këtë.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img