Friday, March 29, 2024

Lajm i hidhur për mundjen shkodrane! Ndërron jetë në moshën 69 vjeçare, ish mundësi dhe gjyqtari Kol Spasari.

Lexo

Për komunitetin e sportit të mundjes shkodrane në këtë ditë të 11 janarit 2023, vjen një lajm i hidhur. Ka ndërruar jetë në moshën 69 vjeçare ish mundësi dhe më pas gjyqtari i mundjes, Kol Spasari.

I lindur në Shkodër në vitin 1954, Kola, që në moshën e rinisë lidhet me sportin e mundjes duke u bërë pjesëtar i ekipit të të rinjëve nën drejtimin e trajnerit Gjon Leka.

Falë aftësive të tij fizike si dhe teknike, në vitin 1971 Kolë Spasari bëhet pjesë e formacionit të ekipit të rinjëve Vllaznia duke konkuruar me dinjitet në Kampionatin Kombëtar të të rinjëve të zhvilluar në Vlorë ku edhe zuri vend nderi. Rezultatin më të mirë, Spasari do ta regjistronte një vitë më pas, kur duke konkuruar në peshën deri në 57 kg, ai shpallet kampion i Shqipërisë për të rinjë.

Ndonëse kalon më pas edhe në ekipin e të rriturve nën drejtimin e trajnerit Eljaz Ahmeti, karriera e tij si mundës nuk vijon më tej. Megjithatë, ai nuk largohet nga tapeti, por këtë radhë angazhohet me kolegjumin e arbitrave të mundjes shkodrane të drejtuar nga Bajram Agovi, detyrë të cilën e ushtron përreth 20 vite përkrah kolegëve të tij, Pal Marku, Besim Pirani, Skëndër Mushtaraku, etj.

Për vlerat dhe kontributin e dhënë, sidomos në fushën e arbitrimit, Federata Shqiptare e Mundjes e ka nderuar Kol Spasarin, me titullin “Nderi i Mundjes shqiptare.”

Edhe pas largimit nga aktiviteti si arbitër, Spasari do të vijonte të ishte pranë sportit të mundjes, duke marrë pjesë deri vonë në aktivitetet që shoqata e veteranëve të mundjes shkodrane organizonte duke spikatur mes të tjerave për batutat dhe humorin e tij të hollë.

Një sëmundje që nisi ta shqetësonte muajt e fundit, megjithë ndërhyrjet e duhura mjekësore, Kol Spasari nuk arriti ta përballonte duke ndërruar jetë në moshën 69 vjeçare.

Me vdekjen e tij, familja humbi njeriun e afërt të tyre, ndërkohë që komuniteti i sportit të mundjes një nga kolegët më të njohur dhe të respektuar në vite.

Me këtë rast, portali Veriu Sport, shpreh keqardhje për humbjen e kësaj figure sportive të mundjes shkodrane dhe asaj shqiptare dhe në të njëjtën kohë përcjell ngushëllimet e sinqerta për familjen Spasari.

Lamtumirë, Kolë Spasari, pushofsh në paqe!

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img