Friday, May 3, 2024

Java e 7 e Superiores mbyllet me dy barazime, Teuta-Kastrioti 1-1 dhe Partizani-Egnatia 1-1

Lexo

E luajtur në tre ditë, java e 7 e kategorisë Abissnet Superiore është mbyllur mbrëmjen e së dieles me dy sfidat e fundit, ato Teuta-Kastrioti dhe Partizani-Egnatia. Takime këto që në përfundim firmosën nga një barazim 1 me 1.

Në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës u ballafaquan, kampionia në fuqi, Teuta duke pasur përballë Kastriotin modest. Por, diferencat mes dy skuadrave nuk ndikuan në fushën e lojës, ku në përfundim rezultati ishte në barazim 1 me 1. Madje, rrezikshmëria e krutanëve që shfaqën në këtë ndeshje, mund të shkonte edhe përtej barazimit. Ndeshja ka qenë përgjithësisht e qetë në pjesën e parë dhe vetëm pas 13 minutash lojë, është Teuta që rrezikon me Gjorgievin, i cili përfiton nga një largim i gabuar i mbrojtjes krutane dhe gjuan në portë, por goditja e tij është qendrore dhe topi përfundon  në duart e portierit Sali. 11 minuta më pas, është sërish Gjorgiev që gabon në mënyrë të pabesueshme.

Pas një pjese të parë 0-0, e dyta nis më mirë për durrsakët dhe, pasi Plakut i është mohuar një goditje me portën e boshatisur brenda zonës, është Kallaku që vertikalizon bukur për Grudën, që ruan gjakftohtësinë dhe finalizon po aq bukur, duke e kaluar Teutën në epërsi. Rrjedha e lojës do të ndryshojë një çerekore para fundit të kohës së rregullt, kur lojtari i Kastriotit, Grgiç, dëmtohet pas një përplasje dhe kërkohet ndihma e barelës e më pas ambulancës për ta dërguar në spital, ndërsa ka kokën e fashuar. Në vendin e tij hyn në fushë Mudrazija.

Dhe është pikërisht ky i fundit që shndërrohet menjëherë në protagonist, pasi në minutën e 79-të, ai kontrollon bukur një top brenda zone dhe godet, duke e mposhtur portierin e durrsakëve, Qirko. Goli e barazimit e ka ndërruar kahun e lojës dhe brenda pak minutash, është Kastrioti që rrezikon të shënojë edhe golin e dytë, por, edhe për meritë të portierit Qirko, por edhe për pasaktësi të krutanëve, Teuta në njëfarë mënyre mbijeton.

Ndërkohë, në kryeqytet, Partizani vazhdon të mos dalë në rezultatet pozitive. Përfundimi i 90-të minutave fikson barazimin 1 me 1, me golat e shënuar nga  Xhekson për miqtë në minutën e 6-të dhe Cara në limit të pjesës së parë, 45+2′.  Barazim që përkthehet në fitore për rrogozhinasit dhe në një disfatë të rëndë për të kuqtë, ende në kërkim të fitores së parë sezonale në kampionat me hijet e zonës së ftohtë që kanë nisur të sillen rrotull demave. Filipoviç nuk arriti të konkretizonte asnjë rast të krijuar ndërsa Egnatia cinike me pak fat mund të ishte larguar me llogarinë plot nga Tirana edhe pse kjo pikë është e artë për Gugash Maganin.

Vetëm 5 pikë dhe në zonën e ftohtë bashkë me Kastriotin, Partizani po flirton me rrezikun ndërsa në krahun tjetër, Egnatia ngjitet në kuotën 9 dhe konfirmohet surpriza më e bukur e këtij sezoni.

Rezultatet e Javës së 7-të

Dinamo-Kukësi 0-1

Laçi-Skënderbeu 2-0

Vllaznia-Tirana 0-2

Teuta-Kastrioti 1-1

Partizani-Egnatia 1-1

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img