Thursday, May 2, 2024

Kampionati i vajzave/ Fundjava mirëpret javën e katërt, spikat derbi kryeqytetas Partizani – Tirana

Lexo

Kampionati i vajzave do të rikthehet sërish në fushë këtë fundjavë me ndeshjet e javës së katërt, dy prej të cilave do të luhen të shtunën, ndërsa tre të tjerat të dielën.

Pa dyshim që sfida kryesore e kësaj jave është derbi kryeqytetas, Partizani – Tirana, që të gjithë tifozët do të kenë mundësi ta ndjekin drejtëpërdrejtë dhe falas në kanalin zyrtar të FSHF-së në Youtube. Vajzat bardheblu vijnë në këtë sfidë pas një fitoreje mjaft të rëndësishme në transfertën fierake, teksa mundën Apoloninë javën e kaluar, duke marrë një tre pikësh të rëndësishëm. Një fitore mjaft të rëndësishëm mori edhe ekipi i Partizanit në Korçë, teksa kryeqytetaset mundën me goleadë Skënderbeun në shtëpi. Takimi Partizani – Tirana do të luhet ditën e nesërme në ora 12:00 në kompleksin e ri të Partizanit.

Sakaq, Apolonia do të kërkojë kthesën këtë javë ndaj Laçit. Pas humbjes me Tiranën në shtëpi, fieraket duan të marrin tre pikët dhe të vijojnë rrugën me synimin e qartë dhe të vetëm, titullin. Ndërkaq, Laçi do suksesin e parë në kampionat. Gjithçka do të përcaktohet në ndeshjen e nesërme që nis në ora 14:00 e do të luhet në kompleksin ‘Zmijani’.

Ndërkaq, të dielën do të luhen edhe dy takimet e tjera të javës. Kalendar i vështirë për Skënderbeun që pas humbjes në shtëpi me Partizanin do të përballet me kampionet në fuqi, Vllazninë kryesuese. Pas sfidës europiane ndaj Chelsea-t në Londër, shkodranet do të udhëtojnë drejt Korçës, me synimin e vetëm për të marrë tre pikët. Po të dielën, Lushnja do të presë në shtëpi Kukësin. Të dyja ekipet janë në kuotën e 0 pikëve aktualisht. Kjo pritet të jetë një ndeshje mjaft e luftuar, pasi për dy skuadrat vlen vetëm fitorja e parë sezonale. Sfida pritet është planifikuar të nisë në ora 14:00.

Sakaq, Teuta do të presë në shtëpi Kinostudion. Kryeqytetaset janë në kuotën e 0 pikëve pas dy ndeshjeve të zhvilluara, ndërsa Teuta kanë marrë një fitore dhe një humbje në dy sfida të luajtura. Durrsaket do të kërkojnë të shfrytëzojnë faktorin ‘fushë’ dhe të sigurojnë një tjetër fitore në shtëpi, pas asaj që morën në javën e parë ndaj Skënderbeut. Takimi luhet të dielën në Durrës në ora 14:00.

Ndeshjet e javës së katërt në kampionatin e vajzave:

Partizani – Tirana, e shtunë, ora 12:00

Laçi – Apolonia, e shtunë, ora 14:00

Lushnja – Kukësi, e diel, ora 14:00

Skënderbeu – Vllaznia, e diel, ora 13:00

Teuta – Kinostudio, e diel, ora 14:00

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img