Saturday, May 18, 2024

Kombëtarja e Kosovës “asgjësohet” nga arbitrat e papërgjegjshëm

Lexo

Nga prof.dr. Xhevdet ZEKAJ

Në dy ndeshjet e fundit eliminatore të “Euro 2024”, nuk besoj të ketë pasur kombëtare tjetër sa Kosova, që të jetë persekutuar, asgjësuar, masakruar nga arbitrat. Një gol ndaj saj në “Fadil Vokrri” të Prishtinës, i nisur nga prekja e topit me dorë prej Shaqirit, u konsiderua i rregullt për zviceranët. Padrejtësi ashiqare ndaj kombëtares kosovare. Një penallti e padhënë për “Dardanët” në mes të Prishtinës, në ndeshjen ndaj helvetëve, që përfundoi 2-2.

Gjykim tendencioz, për të thënë më të paktën, ndaj Kosovës, jo vetëm në eliminatoren e parë të shtatorit, por edhe mbrëmë në Rumani. Madje, trendencioziteti kundër Kosovës i arbitrave njohu kulme të reja. Ndaj Zvicrës, gjyqtari i ndeshjes është justifikuar te zv.trajneri Arbnor Morina se nuk punonte VAR-i, nuk kemi çfarë të bëjmë (te rasti i penalltisë së padhënë). Si ka mundësi, në një kualifikuese të tillë të “Euro 2024” nuk punonte VAR-i? Si ka mundësi që të gjitha gabimet e arbitrave (vendimet e dyshimta) ishin në dëm të Kosovës, jo të helvetëve?

Si të mos mjaftonte kjo në Prishtinë, pamë gjykim edhe më skandaloz ndaj kombëtares kosovare në transfertën rumune. Po, kartoni i kuq i Muriçit ishte, një lojtar si ai nuk duhej të merrte dy të verdha njëri pas tjetrit, qoftë edhe i irrituar nga sjellja e turpshme e tifozëve rumunë, banderolat e tyre që duhet të alarmojnë UEFA-n. Një penallti e padhënë në favor të Kosovës (te rasti i Rrahmanit) përforcoi bindjen për gjykim me standarde të dyfishta, tejet penalizues për “Dardanët”. Të njëjtat faulle ndëshkoheshin kur bëheshin nga lojtarët e Kosovës, por fare nëse ato vinin nga rumunët në fushën e blertë.

Pra, gjykimi ndikoi totalisht në rezultatin e ndeshjes, të fituar nga rumunët 2-0. Kundër Kosovës u dha një penallti jo vetëm në pozicion jashtë loje, por pa pasur fare faull. Arbitri as denjoi fare ta kthente kokën për ta parë rastin me VAR. Ai i merrte shumicën e vendimeve në favor të Rumanisë. Përtej asaj që duhet të bëjë presidenti Agim Ademi dhe bashkëpunëtorët e tij në FFK, është koha për ta ngritur zërin ndaj këtyre padrejtësive në gjykim, për t’ia përplasur UEFA-s në fytyrë standardet e dyfishta dhe tendenciozitetin karshi Kosovës.

Më së pari duhet ta bëjmë këtë ne si gazetarë, opinionistë, analistë sportivë. Kosova nuk mund të shkonte më larg se kaq, duke pasur gjyqtarët kundër, duke luajtur jo kundër 11 kundërshtarëve në fushë, por ndoshta edhe 14 të tillëve, sepse ata që duhej të bënin drejtësi, e kthyen “bilbilin” e tyre në kamzhik për “Dardanët”. E turpshme të shohim arbitrime të tilla skandaloze dhe të papërgjeshme në kualifikueset e “Euro 2024”, në epokën e teknologjisë, VAR-it etj. Kjo tregon se nuk mund të flitet për gabime njerëzore të arbitrave, por tallje e tyre me djersën, mundin dhe sakrificat e kombëtares së Kosovës. Mjaft është mjaft! Duhet ngritur zëri ndaj të tilla arbitrimeve të “pilotuara”, kush e di se nga kush, ndaj “Dardanëve”!

Nga prof.dr. Xhevdet ZEKAJ

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img