Saturday, May 18, 2024

Kombëtarja U-19 vijon përgatitjet për miqësoret me Kosovën, Kacurri & Kasmolllari premtojnë fitore

Lexo

Kombëtarja U-19 ka nisur prej ditësh përgatitjet për dy ndeshjet miqësore ndaj Kosovës U-19 që do të luhen në Kukës, me kuqezinjtë që po stërviten që nga e shtuna në fushën e Shtëpisë së Futbollit.

Trajneri Ervin Bulku ka punuar me të 26 lojtarët e grumbulluar për këto dy sfida, teksa grupi është në formë të mirë dhe të gjithë po përgatiten për të bërë një paraqitje sa më të mirë në këto miqësore.

12 prej tyre luajnë në kampionatet e huaja, duke u aktivizuar me ekipe të njohura, ndërsa 16 futbollistët e tjerë luajnë në kampionatin shqiptar. Dy nga lojtarët e ftuar për këto ndeshje, Maldini Kacurri dhe Oresti Kasmollari kanë folur për Fshf.org në lidhje me pritshmëritë që kanë për këto dy ndeshje dhe si po shkojnë përgatitjet për miqësoret.

Kacurri shprehet shumë i kënaqur për ftesën dhe premton se do të japë 100 % në këto ndeshje për të marrë rezultatet pozitive.

“Jam shumë i kënaqur që kam marrë ftesën nga Kombëtarja U-19 për dy miqësoret me Kosovën. Do të jap maksimumin në këto dy ndeshje. Kemi nisur ndërkohë përgatitjet dhe po punojmë shumë për këto sfida, do të jemi plotësisht gati për të dhënë 100% ndaj Kosovës. Ndonëse miqësore, janë dy ndeshje të rëndësishme për ne dhe sigurisht që synojmë t’i fitojmë dhe më pas do të vazhdojmë punën për t’u rritur si grup”, – thotë Maldini Kacurri, i cili është pjesë e ekipeve të moshave të Arsenalit dhe ka qenë pjesë e Kombëtares U-17.

Edhe Oresti Kasmollari është shumë optimist për forcën e këtij grupi dhe premton se skuadra do të marrë rezultatet pozitive e do të përgatitet shumë mirë për kualifikueset e Europianit, që do të zhvillohen në muajin tetor.

“Jam shumë i lumtur për këtë ftesën, nuk është hera e parë për mua që grumbullohem me ekipet Kombëtare të moshave. Kemi një grup shumë të mirë dhe cilësor, mendoj që do të bëjmë një paraqitje shumë të mirë në këto miqësore. Atmosfera që kam gjetur këtu është shumë e mirë dhe stafi na ka pritur mirë, me trajnerin Ervin Bulku njihemi, pasi disa prej nesh kemi punuar me të te Kombëtarja U-17. Kam shumë besim te ky grup lojtarësh dhe besoj se do të marrim rezultate pozitive. Do të përgatitemi për kualifikueset e Europianit që luhen në tetor dhe jam i bindur se do të krijojmë një grup shumë të fortë. Ashtu si edhe çdo futbollist që është këtu, edhe unë synoj që në të ardhmen të arrijë një ditë të luaj me Kombëtaren A”, – deklaroi Kasmollari për Fshf.org.

Kombëtarja U-19 do të stërvitet në fushat e ‘Shtëpisë së Futbollit’, ndërsa më 13 qershor do të niset drejt Kukësit ku më 14 qershor, do të zhvillojë ndeshjen e parë kundër bashkëmoshatarëve të Kosovës, në stadiumin ‘Kukës Arena’ duke nisur nga ora 18:00.

Një ditë më vonë, më 16 qershor, Shqipëria U-19 do të luajë edhe takimin e dytë ndaj Kosovës, po në stadiumin ‘Kukës Arena’ në ora 10:30.

Stafi teknik i ekipit kombëtar U-19, me në krye trajnerin Ervin Bulku do të ketë mundësinë të testojë grupin në këto dy miqësore dhe të provojë ekipin dhe lojtarë të rinj e të talentuar që vijnë në ekipin kombëtar U-19.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img