Sunday, November 10, 2024

Kriteret e UEFA-s për licencimin, FSHF takime me drejtuesit e klubeve, Vllaznia paraqitet me sponsorin Alban Xhaferi dhe dy zyrtarët e klubit, Denisa Domi dhe Blendi Dibra

Lexo

Sektori i Licencimit në Federatën Shqiptare të Futbollit ka realizuar këto ditë takime të njëpasnjëshme me Presidentët e klubeve të Kategorisë Superiore, që do të aplikojnë për të marrë një licencë nga UEFA. Pjesë e këtyre takimeve informuese dhe shpjeguese kanë qenë edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka si dhe Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku. Nga sa bëhet e ditur, klubi kuqeblu i Vllaznisë është përfaqësuar nga sponsori aktual Alban Xhaferi dhe dy pjesëtarë të tjerë të administratës së klubit shkodran, Denisa Domi, përgjegjëse e Finances pranë Klubit Futbollit Vllaznia dhe Blendi Dibra në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm pranë këtij institucioni.

Këtë vit, rregullorja e licencimit të klubeve të Superiores, është përafruar me rregulloren e UEFA-s për pjesëmarrjen në kompeticionet europiane. Gjatë takimeve, klubet janë njohur me të gjitha kriteret që duhet të plotësojnë në mënyrë që të pajisen me licencën e UEFA-s: kriterin sportiv, infrastrukturor, kriterin administratë-personel, kriterin ligjor dhe kriterin financiar.

Theksi u vendos në plotësimin e dokumentacionit për plotësimin e katër kritereve të para, që është edhe pjesa më voluminoze. Kriteri financiar mbetet më i rëndësishmi, pasi ka disa klube që ende kanë probleme në detyrimet e prapambetura karshi të tretëve, individëve të veçantë dhe tatimeve. Çdo informacion për kriterin financiar do të duhet të raportohet online. Në lidhje me këtë pikë, KF Vllaznia ka të trashëguar problematiken e detyrimeve të prapambetura kryesisht me Drejtorinë Rajonale të Tatim Taksave, shuma e së cilës realisht është e konsiderueshme. Ndaj, në këtë mes, ndoshta pika më kryesore e fokusimit të klubit kuqeblu do të jetë përpilimi i një akt-marrëveshje me këtë institucion për likujdimin e shumës në fjalë në periudha të ndryshme, në mënyrë që më pas të hapet “drita jeshile” për licencimin e Vllaznisë në pjesëmarrjet e kompeticioneve europiane. Sepse, me këtë ritëm kaq pozitiv që skuadra kuqeblu ka në kampionat duke kryesuar e vetme dhe me diferencë prej 9 pikësh nga rivalët renditjen, nëse do të ketë probleme me licencimin, atëherë do të ishte me të vertetë një fatalitet i madh për klubin, skuadrën, futbollistët dhe më së shumti për tifozërinë e zjarrtë shkodrane që me të drejtë këtë sezon futbollistik është në kulmin e entuziasmit të saj.

Për katër kriteret e para, afati i brendshëm është 31 janar 2021. Të gjitha klubet duhet të depozitojnë dosjet dhe dokumentet e protokolluara pranë Sektorit të Licencimit në FSHF. Për kriterin e fundit afati i brendshëm është 28 shkurt 2021, ndërsa afati përfundimtar është 31 mars 2021. Në prill, ekspertët e kritereve do të përpilojnë raportet dhe në mes të muajit, Komisioni i Licencimit do të japë vendimin përfundimtar për dhënien ose jo të licencës, një klubi.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img