Një tjetër lajm i trishtë për sportin shkodran vjen këtë fundjavë, ku pas ish kampionit të futbollit, Esat Bushati në moshën 97 vjeçare, këtë radhë kemi të bëjmë me një kampion nga sporti i pingpongut.
Bëhet fjalë për Gëzim Pepën, i cili pas një sëmundje që e mundoi periudhën e fundit, ndërroi jetë mbrëmjen e së shtunës në moshën 66-vjeçare duke lënë pas një karriere të pasur sportive.
Një pingpongist ky që ka kontribuar për shumë vite me radhë në ekipin e Vllaznisë përkrah kolegëve të tij, Tonin Dusha, Tarçiz Shestani, Fuat Pelinku, Enver Parmeza, Çezar Baba, Paulin Ndoja, Sokol Tirana, Tonin Binoshi, Aren Prela, Nadir Quku, etj duke u shpallur kampion kombëtar.
Përpos Vllaznisë, Gëzim Pepa dha një kontribut të madh edhe në ekipin e Elbasanit, ku kreu shërbimin ushtarak, aty ku fitoi edhe medaljen e artë në Spartakiadën Kombëtare dhe po kështu në Kupën e Shqipërisë.
Falë vlerave të shfaqura në vite me ekipin e Vllaznisë, Gëzim Pepa është nderuar nga Bashkia Shkodër me çmimin “Sportistin e Shekullit” në ceremoninë e organizuar me rastin e 100 vjetorit ntë KS Vllaznia.
Ndërkohë, Federata Shqiptare e Pingpongut i ka akorduar titullin e lartë, “Raketa e Artë”, dhe në vijim edhe Çertifikatën “Mirënjohje”.
Portali Veriu Sport, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes Pepa për humbjen e njeriut të tyre të afërt, si dhe komunitetit të sportit të pingpongut për humbjen e një kampioni.
Poshofsh në paqe, Gëzim, i përjetshëm qoftë kujtimi yt!
Gaspër MARKU


