Thursday, March 28, 2024

Lajm trishtues, ndërron jetë në moshën 59 vjeçare, gazetari dhe komentatori i famshëm sportiv, Kosta Grillo!

Lexo

Një lajm trishtues vjen këtë mëngjes për komunitetin e medias sportive, por edhe më gjërë. Ndahet nga jeta në moshën 59 vjeçare gazetari dhe komentatori i famshëm sportiv, Kosta Grillo. Lajm që ka trishtuar këdo, por padiskutim, për ne kolegët dhe miqtë e tij më të afërt, lajmi në fjalë na ka trishtuar së tepërmi.

Lajmin e hidhur e ka përcjellë publikisht , Ervin Baku, një nga miqtë e afërt të Kostës, që për hirë të së vertetës, që nga momenti i prekjes së Grillos nga virusi Covid 19, ka qënë shumë aktiv në informimin për gjendjen e Kostës, sensibilizimin për mbështetjen e tij dhe deri tek lutjet shpirtërore që ai ta kalonte gjendjen e rëndë që po kalonte në një nga spitalet e Turqisë dhe të kthehej pranë familjes së tij.

Edhe pse kishte shumë ulje dhe ngritje për shëndetin e tij, askush nuk e besonte se përfundimi do të ishte kështu, kur në mëngjesin e së martës së 5 tetorit, Kosta Grillo ndërroi jetë.

Përpos talentit, aftësive dhe profesionalizmit që ai shfaqte në transmetimet e ndeshjeve të futbollit në ekranin e TVSH-së, ku ai u bë i famshëm dhe shumë i dashur për amatorët e futbollit që e ndiqnin plot kënaqësi, Kosta grillo ishte personifikimi i një njeriu model. I dashur, miqësor, korekt dhe shembullor, i pastër në shpirt me të gjithë kolegët e tij, por edhe ato të fushës së sportit, futbollistë, trajner dhe drejtues, me të cilët kishte edhe bashkëpunime në fushën e menaxhimit të futbollistëve.

Krahas të tjerave, Kosta Grillo e donte shumë Shkodrën dhe shkodranët në përgjithësi, e donte Vllazninë, gjë që e ka shprehur hapur në sa e sa emisione sportive që ai ka qënë i pranishëm në qytetin veriur, por edhe në ato të kryeqytetit.

Personalisht, ruaj kujtime dhe respekt maksimal për Kosta Grillon, pasi me të na lidhë një rrugë e gjatë njohjeje, bashkëpunimi dhe miqësie të sinqertë. Ndaj, humbja e jetës së tij, më mundon shumë, më ka prekur thellë në zemër. Ashtu siç i ka prekur thellë edhe kolegët sportivë të Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë, të cilët  ruajnë të njëjtën konsideratë për Kostën.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes “Grillo”, bashkëshortes dhe fëmijëve. Lamtumirë miku im, Kosta Grillo, pushofsh në paqe!  Ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Kosta Grillos vijnë edhe nga portali ynë sportiv, Veriu Sport!

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img