Friday, April 26, 2024

Lajmi hidhur për sportin shkodran, ndërron jetë ish futbollisti dhe drejtuesi i sportit, Mehdi Milla!

Lexo

Sporti shkodran dhe kryesisht komuniteti i futbollit humbi mbrëmjen e së martes një tjetër emër të njohur. Bëhet fjalë për Mehdi Millen, ish futbollistin e njohur të viteve 60-70, mësuesin e spikatur të edukimit fizik, drejtuesin e Klubit Sportiv Vllaznia si dhe drejtuesin e zyrës së sportit në Bashkinë Shkodër, i cili ndërroi jetë në moshën 75 vjeçare.

Lajmin e bën të ditur nipi i tij, pedagogu i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Gëzim Puka, duke sqaruar se profesor Milla ndërroi jetë në Tiranë, aty ku një javë më parë iu nënshtrua një operacioni kijurgjikal. Burime nga familja bëjnë të ditur se në bazë të protokollit mjekësor, trupi i pajetë i veteranit të sportit Mehdi Milla mbërrin neser(e mërkurë) nga Tirana dhe se ceremonia e përcjelljes për në banesen e fundit organizohet pranë xhamisë së Parruces në oren 14.00 të mërkurës.

Sa i përket karrieres sportive të Mehdi Milles duhet thënë se fillimet ai i pati me ekipet zinxhir të futbollit shkodran, ndërkohë që shumë shpejt kaloi në ekipin e të rriturve të Vllaznisë ku luajti me sukses në vitet 60-70 përkrah emrave të tillë të njohur si Selami Dani, Sabah Bizi, Frederik Çapaliku, Sadedin Zmijani, Esat Rakiqi, Ramazan Rragami, Kolë Gjoni, Menduh Dedja, Paulin Ndoja, Hajrullah Lekaj, Nikoll Gjergji, Rauf Çanga, Haki Kraja, Qamil Medja, Jonuz Teli, Pjetër Dusha, etj, me të cilët fitoi edhe Kupën e Shqipërisë në vitin 1965.

Pas largimit nga fusha e lojës si futbollist, Mehdi Milla ushtroi detyren e mësuesit të edukimit fizik ku sukseset më të shumta i pati në Gjimnazin “Jordan Misja” nga duart e të cilit dolën breza të tërë nxënësish, mes të cilëve edhe sportistë të talentuar.

Falë vlerave dhe profesionalizmit që ai dispononte si njeri, në vitet 80-të Mehdi Millës do t’i besohej drejtimi i klubit sportiv Vllaznia, ekipet e të cilit për një periudhe të gjatë kohore mbi dhjetë vjeçare ishin më të mirët e kampionateve kombëtare, përfshirë edhe pjesëmarrjet e suksesshme në arenen ndërkombëtare.

Një tjetër detyrë e rëndësishme për Mehdi Millen ishte edhe ajo e drejtuesit e zyrës së sportit pranë Bashkisë Shkodër duke spikatur edhe aty për korrektesen dhe bashkëpunimin e ngushtë me strukturat sportive të qytetit.

Si ish futbollist i Vllaznisë dhe me një përvojë të gjatë në strukturat sportive të sportit në Shkodër, Mehdi Milla do të ishte jo rastësisht në drejtimin e Klubit të Futbollit Vllaznia ku bashkëpunimi i tij si administrator me presidentin e klubit Myftar Çela shënoi suksese me fitimin e trofeve kombëtarë si dhe pjesëmarrje pozitive në Kupat e Europës.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img