Trajneri Edi Martini do të vijojë bashkëpunimin me Vllazninë. Pa kaluar 24 orë nga mbyllja zyrtare e kampionatit të Abissnet Superiore, ku Vllaznia e mbylli në vendin e tretë pas Egnatias kampione dhe Elbasanit nënkampion, klubi kuqeblu bën të ditur zyrtarisht marrëveshjen e arritur me trajnerin Edi Martini për vazhdimësinë e tij në krye të Vllaznisë.

Njoftimi zyrtar i KF Vllaznia
“KF Vllaznia dëshiron të njoftojë se ka arritur akordin me trajnerin Edi Martini për të qenë pjesë e rrugëtimit tonë të përbashkët edhe për dy sezonet e ardhshme.”
Në fakt, burime pranë klubit kuqeblu bëjnë të ditur se presidenti i KF Vllaznia Alban Xhaferi, vendimin për vazhdimësinë e bashkëpunimit me trajnerin Edi Martini e kishte marrë më herët, pa nisur faza e “Final 4”, jo vetëm për Martinin, por në të njëjtën kohë edhe për drejtorin sportiv, Vioresin Sinani.
Zyrtarisht, për Martninin, vendimi zyrtar u bë publik mesditën e sotme, ndërkohë që një e tilë pritet të bëhet edhe për drejtorin sportiv Vioresin Sinani.


