Mbrojtja, shqetësimi kryesor i Vllaznisë. 6 gola të pësuar në 3 ndeshje. Kthesa pritet me të dielën me Laçin

Lexo

- Reklamë -spot_img

Tre javë kampionat kanë mjaftuar për të ngritur disa pikëpyetje rreth Vllaznisë. Kuqeblutë kanë treguar momente ku loja ka ardhur në rritje, por ajo që vazhdon të mungojë është vazhdimësia dhe mbi të gjitha rezultati. Skuadra ka hyrë në këtë sezon me ndryshime të shumta në organikë dhe me një projekt të ri, por deri tani ende nuk ka dhënë bindjen se e ka gjetur identitetin e saj. Ka potencial, ka elementë interesantë, por shumëçka duket ende në fazën e kërkimit. Një nga pikëpyetjet më të mëdha lidhet me merkaton e verës.

Vllaznia ka afruar plot 12 futbollistë, duke ndryshuar ndjeshëm fytyrën e skuadrës, por deri tani janë shumë pak ata që kanë arritur të bindin plotësisht. Disa prej afrimeve kanë pasur momente pozitive, ndërsa të tjerë ende nuk kanë dhënë atë që pritej prej tyre. Problemi nuk është vetëm individual, por edhe kolektiv, pasi një numër kaq i madh ndryshimesh kërkon kohë për t’u harmonizuar. Gjithsesi, pas tri javësh, është e drejtë të kërkohet më shumë nga një skuadër që synon të jetë konkuruese. Përshtypja tjetër që krijon Vllaznia është ajo e një ekipi disi të brishtë.

Në momente të caktuara, kuqeblutë e humbasin qetësinë, sidomos kur ndeshja nuk shkon sipas planit. Atmosfera jashtë fushës, me polemikat dhe diskutimet e vazhdueshme që kanë shoqëruar klubin, duket se në njëfarë mënyre reflektohet edhe në fushën e lojës. Nuk është një skuadër që dorëzohet, por duket se psikologjia nuk është ajo e një grupi që luan me bindje të plotë dhe besim maksimal. Në futboll, ky element shpesh bëhet vendimtar. Edhe entuziazmi duket se mungon.

Vllaznia e viteve të fundit është parë shpesh me një tjetër energji, me një atmosferë më të fortë rreth saj dhe me një lidhje më të madhe mes skuadrës dhe tifozëve. Këtë herë, të paktën në start, nuk po ndodh e njëjta gjë. Ka një lloj qetësie, madje në momente edhe ftohtësie, që nuk përputhet me pritshmëritë që zakonisht shoqërojnë një sezon të ri në Shkodër. Natyrisht, një fitore mund ta ndryshojë shpejt humorin, por fakti që pas tri javësh nuk është krijuar ende ai entuziazëm  i dikurshëm është një tjetër pikë për t’u analizuar. Një tjetër problem është se ende nuk duket qartë rruga që ka përcaktuar kjo Vllazni.

Skuadra hyn në fushë për të bërë më të mirën, lufton dhe kërkon rezultat, por mungon një objektiv i qartë që të shërbejë si pikë referimi për të gjithë. Nuk është përcaktuar ende nëse kjo është një Vllazni që do të luftojë për titullin, për Europën apo thjesht do të ndërtojë një skuadër konkurruese dhe gradualisht të synojë më shumë. Një projekt pa një destinacion të qartë rrezikon të humbasë orientimin në momentet e para të vështirësive.

Megjithatë, alarmi nuk duhet të kthehet në panik. Janë luajtur vetëm tri javë dhe ka ende shumë kohë për të ndryshuar situatën. Vllaznia ka nevojë të gjejë formacionin, të stabilizojë repartet, të marrë më shumë nga afrimet e merkatos dhe mbi të gjitha të fitojë besimin te vetja. Një seri rezultatesh pozitive mund ta ndryshojë menjëherë panoramën. Por pikërisht këtu qëndron sfida: kuqeblutë duhet të gjejnë sa më shpejt identitetin, qetësinë dhe objektivin e tyre, sepse një sezon nuk ndërtohet vetëm me emra të rinj, por me një drejtim të qartë.

Martini kërkon “çelësin” në mbrojtje

Mbrojtja, alarmi i parë për Vllazninë. Ky është shqetësimi kryesor i kuqebluve në këtë start kampionati, teksa pas tri javëve të para shifrat flasin qartë. Vllaznia ka pësuar gjashtë gola në tri ndeshje, duke mos arritur në asnjërin prej tyre të mbajë portën e paprekur. Një statistikë që e vendos repartin difensiv si pikën më të dobët të skuadrës në këtë fillim sezoni.

Pavarësisht se në aspektin e lojës Vllaznia nuk ka dhënë sinjale për një skuadër të dobët, problemet në prapavijë kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatet e marra. Kuqeblutë kanë arritur të shënojnë në të tre ndeshjet e para, duke treguar se në fazën sulmuese kanë elementët për të krijuar dhe finalizuar aksionet. Por ekuilibri mes dy reparteve ka munguar dhe golat e pësuar kanë zbehur jo pak atë që ekipi ka prodhuar në fazën ofensive. Pikërisht për këtë arsye, trajneri Edi Martini dhe stafi teknik kanë rritur ndjeshëm vëmendjen ndaj repartit të prapavijës gjatë seancave të fundit stërvitore.

Fokusi ka qenë te korrigjimi i gabimeve të evidentuara në tri takimet e para, por edhe te përmirësimi i koordinimit mes mbrojtësve. Vetë Martini është marrë personalisht me pozicionimin e lojtarëve të prapavijës dhe me detajet taktike që lidhen me mënyrën se si duhet të mbrohet skuadra. Në fakt, problemi nuk lidhet vetëm me cilësinë individuale të mbrojtësve, por edhe me organizimin kolektiv. Distancat mes reparteve, mbulimet, reagimi në momentet e tranzicionit dhe përqendrimi në situatat kur kundërshtari sulmon, janë disa prej elementëve ku kërkohet përmirësim. Trajneri Martini kërkon një skuadër më të ekuilibruar, që të mos mbështetet vetëm te forca në sulm, por të jetë po aq e sigurt edhe në prapavijë. Korrigjimi i mbrojtjes është tashmë prioriteti i momentit për kuqeblutë.

Nëse faza ofensive ka dhënë shenja pozitive, me Vllazninë që ka gjetur rrugën e rrjetës në çdo ndeshje, sfida e radhës është të mos lejojë që puna e bërë përpara të zhbëhet nga golat e pësuar. Një skuadër që synon objektiva të rëndësishëm gjatë sezonit duhet të gjejë sa më shpejt këtë ekuilibër. Dhe përgjigjen e parë për këtë punë të bërë në stërvitje do ta japë fusha. Ndeshja e kësaj jave ndaj Laçit do të jetë një tjetër test për prapavijën kuqeblu. Mbetet për t’u parë nëse korrigjimet e ditëve të fundit do të reflektohen në ndeshjen zyrtare dhe nëse Vllaznia do të arrijë më në fund të mbajë portën e paprekur. Për Martinin, tashmë nuk mjafton vetëm të shënohet: duhet edhe të mos pësohet.

Endri ÇINARI(Panorama Sport)

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img