I konsideruar si një ndër trajnerët më të spikatur të brezit të fundit, Arbër Shytani ka bërë lëvizjen e fundit.
Pas disa sukseseve të arritura në ekipet e mëparshme, si Vllaznia, Djelmnia Shkodrane, Laçi dhe së fundmi KF Shkodra, ku sezonin e kaluar e mbylli si kampion me kategorinë U17, sezoni i ri futbollistik e gjen në krye të ekipit të të rriturve FC Basania.
Falë një projekti ambicioz që klubi bushatas ka për sezonin e ri futbollistik 2026-2027, dyshja drejtuese e Basania, Ermir Shimaj dhe Benardin Kulla, preferuan që të kenë në drejtim trajnerin e përkushtuar Arbër Shytani.
Bisedimet dypalëve, FC Basania-KF Shkodra, gjetën gjuhën e mirëkuptimit duke i dhënë mundësinë Shytani të kalojë në klubin bushatas.
Një vendim i vështirë ky i marrë sipas vetë Shytanit, për të cilin shprehet: “Kjo nuk është një lamtumirë, por një mirupafshim. Kam marrë një vendim të vështirë, sepse largohem nga një ambient ku kam punuar me kënaqësi dhe po largohem me kokën lart.”
Arritja e kësaj marrëveshje, përcillet edhe në njoftimin zyrtar të KF Shkodra, i cili shpreh kënaqësinë dhe konsideratën e bashkëpunimit me Shytanin.
Njoftimi zyrtar i KF Shkodra
FALËNDERIM DHE URIM PËR TRAJNERIN ARBER SHYTANI
KF.Shkodra shpreh mirënjohjen dhe falënderimin më të sinqertë për trajnerin Arber Shytani, i cili gjatë punës së tij në klubin tonë drejtoi me profesionalizëm, përkushtim dhe disiplinë ekipin U-17, duke arritur një sukses të madh me shpalljen Kampion i Shqipërisë në Kategorinë e Parë.
Ditët e fundit, Arberi mori një ofertë për të marrë drejtimin e ekipit të rritur të Basanias në Kategorinë e Dytë. Duke qenë se kjo përbën një hap të rëndësishëm në karrierën e tij profesionale, pas bisedimeve të zhvilluara me drejtuesit e KF.Shkodra, me mirëkuptim të plotë dhe respekt të ndërsjellë, vendosëm të shtrëngojmë duart dhe ta përshëndesim në rrugëtimin e tij të ri.
Gjatë gjithë kohës që ishte pjesë e klubit tonë, Arber Shytani u dallua si një trajner serioz, korrekt dhe shembullor, duke fituar respektin e stafit, të futbollistëve dhe të gjithë familjes së KF.Shkodra.
Në momentin e largimit, Arberi u shpreh:
“Kjo nuk është një lamtumirë, por një mirupafshim. Kam marrë një vendim të vështirë, sepse largohem nga një ambient ku kam punuar me kënaqësi dhe po largohem me kokën lart.”
Fjalë që pasqyrojnë marrëdhënien e ndërtuar mes tij dhe klubit tonë.
KF.Shkodra i uron trajnerit Arber Shytani suksese të mëtejshme, shëndet dhe mbarësi në detyrën e re. Jemi të bindur se profesionalizmi dhe përkushtimi i tij do ta shoqërojnë edhe në këtë sfidë të re.
Suksese, Arber! Dyert e KF.Shkodra do të jenë gjithmonë të hapura për ty.


