Saturday, May 18, 2024

Merkato-Kevin Zefi, talenti shkodran që luan në Irlandë, firmos për Interin

Lexo

Është vetëm 16 vjeç, por emri i Kevin Zefit është bërë shumë i njohur në botën e futbollit. Familja e tij shkodrane ka emigruar prej vitesh në Irlandë, aty Kevin pati mundësinë të ushtronte pasionin e tij për futbolllin. Falë talentit të lindur, siç theksojnë specialistët e futbollit irlandez, por edhe përkushtimit në proçesin stervitore, Kevin Zefi do të rriste shumë shpejt shkallët e karrieres sportive. Nga kampionatet amatore të Irlandës ai kalon në kampionatin profesionist të moshave si pjesë klubit të njohur Shamrock Rovers ku shkëlqen si golashënues i aftë. Kombëtarja irlandeze U-15 e bën pjesë të saj dhe që në prezantimet e tij të para si sulmues krahu evidentohet si një lojtar potencial i perspektivës.

Në vijim, duke qënë pjesë edhe e kombëtareve të moshave U-16 dhe U-17 , Kevin vazhdon të surprizojë me spektaklin që dhuron në fushën e lojës duke qënë lidër në ekip. Spikatja e tij me ekipin kombëtar të Irlandës ka bërë që emri i Kevin Zefit të shënjëstrohet nga shumë klube me emër, sidomos në Itali, ndër të cilët Inter dhe Juventus janë paraqitur menjëherë tek prindërit e Kevinit në Irlandë duke afruar ofertat përkatëse për ta bërë të tyrin.

Bashkëpunimi me menaxherin, Enzo Aliaj, bindi familjarët e Kevin Zefit që ai të zhvendoset nga Irlanda në Itali, ku pas disa seancave stërvitore shumë të suksesshme për të nuk vonoi të vinte firma zyrtare tek Interi. Një firmë që përpos përfitimeve financiare i hap dritën jeshile Zefit të hedhë një hap edhe më të madh në karrieren e tij sportive. Në këtë transferim, i fituar del edhe klubi irlandez, Shamrock Rovers, i cili e rriti djaloshin shkodran me vlerat më të mira futbollistike.

Të lumtur në këtë transferim janë edhe prindërit e Kevin Zefit, të cilët janë të bindur se falë vlerave që disponon djali i tyre, e ardhmja e tij është e padiskutueshme në nivelet e larta prej profesionisti. Këtë bindje ka edhe halla e Kevinit, ish atletja kampione e Vllaznisë, Diana Gjinaj Marku, e cila edhe ajo jeton me familjen e saj prej 20 vitesh në Irlandë dhe nipin e saj e ka ndjekur dhe mbështetur në stervitje që në moshën 5 vjeçare. Nga ana tjetër, edhe vetë fëmijët e Dianës, dy djemtë e saj, 14 dhe 19 vjeçarë, që aktualisht luajnë me ekipet e Dublinit, i pari me MMA si dhe i dyti me ekipin e parë të qytetit Shelbourne, shpresohet që shumë shpejt të evidentohen në nivel profesionisti.

Duke u kthyer tek protogonisti i shkrimit, Kevin Zefi, me interes është të njihemi me atë çfar ai ka deklaruar pas këtij transferimi për faqen zyrtare të klubit irlandez Shamrock Rovers.

“Unë shkova në Milano në shkurt dhe qëndrova atje për një muaj. Shkova për t’u njohur me ekipin, u stërvita me ta dhe më pëlqeu. Strukturat janë vërtet të mahnitshme, kur ecni përreth dhe shikoni përreth jeni të mahnitur. Unë jam duke studiuar italisht, e dija pak më herët. Pres që të jem pjesë e skuadrës nën 19 vjeç. Ëdrra ime? Ndoshta një ditë, duke vazhduar të punoj shumë, mund të më shihni të luaj në Champions Leauge. Idhulli im është Eden Hazard, stili i tij i lojës është i ngjashëm me timin. Më pëlqen gjithashtu Jack Grealish. Kam folur me njerëz që kanë luajtur në nivele të larta, përfshirë agjentin tim Steven Carr. Ata thjesht më thanë të vazhdoja të punoja shumë, të mbaja këmbët në tokë dhe të vazhdoja të shtyja”, është shprehur talenti Kevin Zefi për faqen zyrtare të klubit irlanez, Shamrock Rovers, me të cilin u rrit si futbollist.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img