Klubi i Futbollit Tirana ka prezantuar stafin e ri teknik i cili do të udhëheqë bardheblutë në sezonin e ri futbollistik 2026-2027.
Kroati Dean Klafuriç, është trajneri i parë i kryeqytetasve, i cili në fjalën e tij të parë, e cilësoi Tiranën si klubin më të madh dhe më historik në Shqipëri.
“Përshtypja e parë është se Tirana është klubi më i madh dhe historik në Shqipëri, dhe gjithashtu është një mundësi e mirë të punoj në një klub të madh. Jam i lumtur që e mora këtë mundësi në karrierën time. Për mua gjërat e rëndësishme në futboll janë dashuria, pasioni dhe puna në ekip”.
Klafuriç u ndal edhe te filozofia e tij e punës. Tekniku kroat theksoi se suksesi nuk vjen vetëm nga cilësitë individuale, por mbi të gjitha nga disiplina, përkushtimi dhe puna e vazhdueshme e grupit.
“Sigurisht që ka respekt dhe përgjegjësi, në cilësinë e aftësive futbollistike për ti treguar në çdo ndeshje dhe çdo stërvitje. Motoja ime është të punoj çdo ditë dhe jep cdo ditë”.
Në fund, Klafuriç foli edhe për identitetin e skuadrës, duke theksuar se synimi i tij është të ndërtojë një Tiranë që respekton historinë dhe rikthen ADN-në fituese.
“Për mua Tirana është një klub me identitet dhe unë kam ardhur këtu për të ndryshuar ADN e Tiranës. Kam ardhur këtu për t’u përshtatur me historinë dhe për të dhënë maksimumin për klubin dhe për të ndihmuar lojtarët të japin më të mirën duke përfaqësuar Tiranën”.

Ndërkohë, drejtuesit e klubit bardheblu prezantuan edhe zëvendëstrajnerin, ku krahu i djathtë i Dean Klafurić do të jetë Bojan Markoski, me të cilin njihet prej vitesh pasi kanë bashkëpunuar edhe më parë së bashku.
Zv.Trajneri Bojan Markoski, vjen me një përvojë të konsoliduar në futbollin europian, pasi ka qenë pjesë e stafeve teknike të Ethnikos Achna, AEL Limassol dhe Rabotnički, ndërsa ka drejtuar edhe si trajner i parë ekipin e Rabotničkit”, thuhej një njoftimin e klubit më të titulluar në Shqipëri.


