Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të kontinentit në futboll, Liga e Kampioneve, ka ulur të mërkurën siparin e fazës së grupeve, duke finalizuar edhe 16 skuadrat që do ta vijojnë betejën e tyre drejt trofeut të vyer evropian. Si çdo të mërkurë, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë përballjen më të spikatur të mbrëmjes, atë që është luajtur në Stadiumin “San Siro” midis Milanit dhe Salzburgut. Sfida që vlente kualifikimin për më tej për të dyja skuadrat ka qenë e hapur në pjesën e parë, por është Milani që e gjen e para rrugën e rrjetës në minutën e 14-të, me anë të francezit Zhiru.
Ndonëse gjysmëora e mbetur do të jetë me një lojë të hapur, ku të dyja skuadrat kanë patur mundësi për të shënuar, pjesa e parë nuk do të sjellë gola të tjetër dhe do të mbyllet me epërsinë minimale të vendasve, ndërsa ajo e dyta nis praktikisht me gol, pasi Kruniç do të kthejë në rrjetë me kokë një pasim po me kokë të Zhirusë.
Francezi do të konfirmohet padyshim si njeriu i ndeshjes, pasi në minutën e 57-të, do të shënojë edhe golin e tij të dytë në këtë ndeshje dhe të 3-tin për Milanin. Mesias në fund kompleton “pokerin” kuqezi.
Kështu Milani mund Salzburgun 4-0 dhe siguron vendin e dytë në grup, me 10 pikë, 3 më pak sesa Çelsi, me të dyja skuadrat që vijojnë më tej në turin e 16-shes, ndërsa austriakët vijojnë në Ligën e Evropës, ndërsa Dinamo e Zagrebit i jap lamtumirën veprimtarive kontinentale.