Tuesday, April 16, 2024

“Mjeshtër i Madh” për mundësin shkodran Nikoll Grimaj. Ish kampioni, dekorohet nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta

Lexo

Ish kampioni i mundjes klasike, Nikoll Grimaj, i cili në vazhdim të karrieres sportive vijoi të ishte kampion i tillë edhe si trajner, është nderuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”. Ceremonia në fjalë është zhvilluar në mjediset e institucionit të Presidentit të Republikës  me praninë e shumë personaliteteve të nderuara të mundjes shqiptare, ku krahas mundësit shkodran, Nikoll Grimaj janë dekoruar edhe  dy kampionë të tjerë të këtij sporti, Mentaz Allajbegu, dhe Besnik Shehu, si veterani tjetër Kujtim Nina.

Mirënjohje për kontributin e çmuar të dhënë në zhvillimin cilësor të mundjes në Shqipëri, për rezultatet e shkëlqyera të arritura ndër vite duke lartësuar flamurin kombëtar në arenat sportive, si edhe për përgatitjen e kampionëve dhe medalistë të shquar që na kanë përfaqësuar denjësisht në lojërat olimpike dhe botërore.

Puna dhe sukseset e merituara të tyre do të mbeten gjithmonë një shembull frymëzimi në edukimin e sportistëve të rinj, për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sporti me tradita kombëtare, në mënyrë që të kemi të tjerë kampionë dhe rezultate më premtuese në të ardhmen.

“Në shenjë vlerësimi për kontributin dhe rezultatet e larta të arritura në sportin e mundjes së lirë, si sportist kampion me ekipet e ‘Vllaznisë’, ‘Luftëtarit’, ‘17 Nëntorit’, ‘Dinamos’ dhe Ekipin tonë Kombëtar duke u dalluar për përfaqësimin me dinjitet të mundjes shqiptare në veprimtaritë ndërkombëtare.”, shkruhet në motivacionin që shoqëron dekorimin e kampionit Grimaj. 

Dekoratë, që në mungesë të Nikoll Grimajt, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ka marrë në dorëzim, nipi i tij Elvis Grimaj, i cili, në emër të familjes “Grimaj” ka falenderuar Presidentin e Republikës për nderimin që i bëri xhaxhait të tij, Nikoll Grimaj.

Në fjalën e Tij përshëndetëse drejtuar sportistëve, familjarëve dhe kolegëve të tyre të pranishëm, Presidenti i Republikës u shpreh:

“Jemi këtu për të vlerësuar disa personalite dhe kontribues në këtë sport kaq tradicional dhe popullor, por njëkohësisht dhe shumë të suksesshëm. Jemi sot për të nderuar një mundës të jashtëzakonshëm Nikoll Grimaj, që në stilin e lirë dhe mundjen klasike, shpalli kampion ekipet e ‘Vllaznisë’, ‘Luftëtarit’, ‘17 Nëntorit’, ‘Dinamos’, si dhe që ka përfaqësuar me dinjitet mundjen shqiptare në shumë aktivitete ndërkombëtare me Ekipin Kombëtar. Zoti Grimaj, për vite me radhë është shpallur kampion kombëtar në mundjen klasike dhe në vitin 1984 fiton Medaljen e Artë në Spartakiadën e 5-të Kombëtare. Ai po kështu përveç se një mundës shumë i suksesshëm, ka qenë edhe një trajner i suksesshëm i mundjes klasike i ekipit ‘Dinamo’ dhe Ekipit tonë Kombëtar. Me këtë rast unë e përshëndes edhe nga distanca, duke e falënderuar për mesazhin e tij përmes të cilit, ishte i pranishëm në këtë ceremoni.”, u shpreh Presidenti i Republikës, zoti Ilir Meta, për kampionin Grimaj gjatë ceremonisë së organizuar me këtë rast.

Ndërkohë, në vijim të fjalës së tij përshëndetëse, kreu i shtetit shqiptar, shtoi:” Me pasionin, përkushtimin dhe rezultatet e larta, ju të gjithë u bëtë personalitete në sportin e mundjes, duke fituar simpatinë e sportdashësve anembanë vendit.

Puna dhe sukseset e merituara i bënë këto personalitete një shembull frymëzimi në edukimin e sportistëve të rinj, për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sporti me tradita kombëtare, në mënyrë që të kemi rezultate edhe më premtuese në të ardhmen. Ndaj ky eveniment përveç se vlerësimin për këto personalitete është edhe një mesazh tjetër që të bashkohemi edhe më fortë pranë vlerave që trashëgojnë dhe të angazhohemi, që ky sport i bukur dhe burrëror, të kthehet në një pasion edhe më të fort tek rinia e sotme, për të shfaqur talentin e tyre dhe për t’u bërë edhe ata kampionë të mëdhenj.

Dëshiroj me zemër që mundja dhe sporti ynë, të ketë edhe më shumë mbështetje, solidaritet dhe respekt. Me këtë rast ju uroj të gjithë juve dhe familjeve tuaja mbarësi.”

Gaspër MARKU

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img