Thursday, April 25, 2024

Ndahet nga jeta në moshën 78 vjeçare veterani i shquar i pingpongut shkodran Frederik Berisha

Lexo

Është ndarë nga jeta në moshën 78 vjeçare veterani i nderuar i sportit shkodran dhe më gjërë, Frederik Berisha. Shkodra humbi, sportistin, trajnerin, por edhe profesorin model të matematikes.

I lindur dhe rritur në lagjen Gjuhadol, pjesë e një familje qytetare shkodrane, ashtu si edhe dy vëllezërit e tij, Tonini që ka luajtur sulmues me Vllazninë, si dhe Berti shumë i njohur në Shkodër si pasionant me sportin, edhe Frederiku preferoi sportin. Sipas të dhënave nga historia e sportit të pingpongut, Rriku filloi të luajë pingpong që në moshën 12 vjeçare në sallonin e Klubit të Rinisë përkrah me emra të tjerë të lagjes së tij që më vonë u bënë të njohur në sport, si arbitri i futbollit Tef  Prela, Gjovalin Stefa, Lorenc Lora, etj.

Me pasionin dhe këmbënguljen që e karakterizonte, Rriku eci shumë shpejt në karrierin e tij sportive dhe në vitin 1962 kur ishte 16 vjeç merr pjesë me të rriturit në Kampionatin Kombëtar të zhvilluar në Tiranë. Që në pjesëmarrjen e parë në një kampionat të rriturish, Rrik Berisha përfshihet në dhjetëshën më të mirë të pingpongistëve shqiptarë, çka përbënte një arritje jo të vogël asokohe në shkallë kombëtare.

Vllaznia në pingpong për të rritur arrin të fitojë titullin e parë kampion si ekip në vitin 1969. Pjestarë të atij suksesi ishin sportistët Frederik Berisha, Ruzhdi Quku, Tonin Dusha dhe Benard Kiri me trajner Xhemal Bilalin. Më pas vijon të jetë pjesë e vazhdueshme e ekipit të Vllaznisë duke qënë përherë mes më të mirëve.

Ndërkohë, siç shkruan autori Dashamir Sherja në librin e tij, “Enciklopedia e Sportit Shkodran”, falë vlerave që paraqiste në fushën e pingpongut, shkodrani Frederik (Rrik) Berisha bëhet pjesë edhe ekipit kombëtar shqiptar dhe në vitin 1964 konkuron në Kampionatin Botëror ku duke pasur rastin të ndeshet me pingpongistë kinez, përballet si i barabërtë me kundërshtarë të niveleve të larta, mes tyre edhe Kampion Bote.

Kjo ngjarje ndikoi pozitivisht për sportin e pingpongut duke i hapur horizonte dhe perspektive pozitive për vazhdimësinë e këtij sporti në Shkodër. Më pas ai merr pjesë edhe në  një ndeshje tjetër ndërkombëtare, ku dhjetë pingpongistët më të mirë shqiptarë vihen përballë kombëtares kineze, ku në mungesë të një pallati sporti, ndeshja zhvillohet në Teatrin Migjeni, aty ku përsëri Rrik Berisha tërheq vemendjen për mënyrën krejt të veçantë të të luajturit.

Në vitin 1963 Kampionati Kombëtar i Pingpongut zhvillohet në Shkodër tek Palestra e qytetit, ish kinema Rozafat e djegur. Në këtë aktivitet, Vllaznia përfaqësohet edhe me dy vajza për herë të parë, Xhina Ndoja dhe Suzana Cepi. Rriku shpallet kampion kombëtar duke u rrethuar me shumë entuziazëm nga qindra tifozë shkodranë që festojnë me të titullin kampion.

Në vitin 1969 Vllaznia e Shkodrës shpallet përsëri kampione kombëtare si ekip, dhe pjesë e ekipit është edhe Rrik Berisha. Më pas shkëputet nga pingpongu i luajtur, por qëndron pranë tij duke vijuar detyrën e trajnerit të Vllaznisë. Ndërkohë, në disa aktivitete kombëtare, Federata Shqiptare e Pingpongut i beson detyrën e Kryegjyqtarit, detyrë të cilën e kryen me shumë cilësi dhe profesionalizëm.

Krahas ushtrimit me sport, Frederik Berisha spikat edhe në fushën e arsimit duke qënë ndër profesorët më të njohur të qytetit të Shkodrës për lëndën e matematikes, nxënësit e të cilit ruajnë respekt të veçantë për kohën që bashkëpunuan me professorin e tyre.

Në shenjë mirënjohjeje për një karrierë mbi 50 vjeçare në sportin e pingpongut, me rastin e 100 vjetorit të krijimit të klubit Vllaznia, Bashkia Shkodër e nderoi Frederik Berishëm me titullin “Mirënjohje” si pingpongisti i shekullit. Ndërkohë, që tituj dhe diploma të tjera të shumta u dhanë për figurën e shquar të Rrik Berishës edhe nga Federata Shqiptare e Pingpongut, Komiteti Kombëtar Olimpik Shqiptar, etj,

Me ndarjen nga jeta të Frederik Berishës, familja humbi njeriun e afërt, ndërkohë që komuniteti i sportit humbi kampionin dhe trajnerin e merituar, por edhe sektori i arsimit humbi profesorin e nderuar të matematikës.

Portali, “Veriu Sport”, i përcjellë ngushëllimet më të sinqerta familjes “Berisha”. Pushofsh në paqe, kampion!

Gaspër MARKU, Shkodër më 24 SHKURT 2022

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img