Monday, April 29, 2024

Një urim i vonuar për Armand Dukën!

Lexo

Nga Prof.dr. Xhevdet Zekaj-“Mjeshtër i Madh”

Në Shqipërinë tonë të lodhur e me tranzicion të stërzgjatur prej mbi tri dekadash, plot korrupsion, vrasje, varfëri, antagonizëm politik e social, ka edhe një përmasë vërtet europiane e të prekshme, falë futbollit.

Po, po, me kombëtaren kuqezi jemi në garë për të shkuar në Botërorin e Gjermanisë, vitin e ardhshëm. Vajzat shkodrane të Vllaznisë na dërguan në sallonin e VIP-ave të Europës, fazën e grupeve të Champions League, sezonin e kaluar. Kemi fluks dhe interes jashtëzakonisht të shtuar në futbollin e moshave, pra për t’u marrë me sportin magjik, projekte pa fund infrastrukturore, stadiume europiane etj. etj.

Pra, kemi një Shqipëri europiane, por vetëm në futboll! Po kështu, kemi një ministër sportesh në “qeverinë” europiane, që na përfaqëson me dinjitet maksimal, Armand Duka. Kreu i FSHF-së, falë vizionit dhe punës së tij në një mandat si anëtar i KE së UEFA-s, tashmë është riemëruar në dy departamente mjaft të rëndësishme të institucuionit që drejton futbollin në kontinentin tonë.

Një model për t’u ndjekur edhe në fushat e tjera të jetës, ku vendi ynë ka nevojë për prosperitet dhe suksese reale, jo propagandistike. Duka e ka revolucionarizuar futbollin tonë në koncept, drejtim dhe menaxhim, e ka pastruar maksimalisht nga disa vese të rënda si dhuna dhe trukimi. Ai ka thithur para të konsiderueshme për këtë sport, duke bashkëpunuar me sponsorë prestigjiozë si person dhe institucion i besueshëm suksesi.

Bashkëpunimi me kryeministrin Rama dhe ministren e arsimit Kushi tregojnë edhe anën kohezive dhe frymën e grupit që përqafion kreu i FSHF-së me qëllim që futbolli të rritet nga dita në ditë, të jetë imazhi më i mirë i vendit tonë në sytë e gjithë botës. Kombëtarja kuqezi është “qershia mbi tortë”, në këtë drejtim, por mbi të gjitha Duka, që tani e mat veten me rivalë kontinentalë për funksionet drejtuese të UEFA-s. Urime Zoti Duka për rikonfirmimin në drejtimin e departamenteve përkatësë në UEFA dhe sa më lart, bashkë me futbollin shqiptar!

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img