Thursday, April 25, 2024

Një vit pa legjenden e volejbollit shqiptar, Ali Bushati!

Lexo

Një vit më parë, pikërisht në fundjanarin e vitit 2021 ndërroi jetë në moshën 78 vjeçare një nga emrat më të spikatur të volejbollit shkodran dhe atij shqiptar, Ali Bushati. Një figurë sportive, e cila me karrieren e tij shumë të pasur sportive me Vllazninë, por edhe me Partizanin, Dinamon dhe po ashtu me ekipin kombëtar, njëri nga emrat më të mëdhenj të këtij sporti.

Karriera sportive

I Lindur më 12 gusht 1942, 186 cm i gjatë, pesha e lojës 80 kg, karriera sportive si volejbollist e Ali Bushatti ka një ecuri shumë të suksesshme, për të cilën në median sportive shqiptare dhe më gjërë është folur shumë. Një pjesë e madhe e pasqyrimit të vjerave të këtij sportisti të madh kanë ardhur në fushën mediatike edhe nga kunati i tij, kolegu ynë i nderuar Irfan Rama, i cili njëherazi kishte të drejtë të krenohej me mikun e familjes, sportistin e madh Ali Bushati.

1959-1963, 1965-1975 janë vitet me të cilët Ali Bushati është pjesë e ekipit Vllaznia. Si kapiten, por edhe si trajner i skuadrës kuqeblu Ali Bushati është fitues i 3 kupave të Republikes në vitet  1969, 1970, 1973 duke pasur në krah emra kolegë të nderuar si Franc Jakova, Tonin Fistani, Sandër Paloka, Viktor Jubani, Mark Grimci, Xhelal Haxhi, Bato Lashova, Agustin Gjoni, etj. Nga viti 1968-1973 Vllaznia zë vendin e dytë në kampionat kombëtar në rivalitet të fortë me kampionen Dinamo të Vangjel Kojes dhe Asllan Rusit. 17 vjeç është në gjashtëshen e parë të Vllaznisë, ndërkohë që për dy vite të tjera, ato 1963- 1965 Bushati vesh uniformën e Partizanit të Tiranes duke qënë volejbollisti kryesor i formacionit të të kuqve.

Në karrierën e tij sportive, Ali Bushati numëron 60 ndeshje ndërkombëtare nga të cilat 25 me ekipin kombëtar në gjashtëshen e parë përkrah mjeshtërve të medhenj, si Asllan Rusi, Dashamir Fagu, Ylli Shehu etj. Huazohet nga Dinamo e Tiranës në ndeshjet e Kupës së Kampioneve dhe luan shkëlqyer në dy fitoret e mëdha në vitin 1966 në Tiranë kundër Virtus të Bolonjës dhe Bloker të Hollandes 3-0. Sikurse shquhet në ndeshjet e Dinamos me kampionët e Partizanit të Beogradit, Harvey të Holandes, CSKA të Sofjes etj. Luan në gjashtëshën e parë të përfaqësueses në turnetë e zhvilluar në Kinë, Kampionatin Europian në Stamboll në vitin 1967( Shqipëria fiton 3-0 me Suedinë, 3-0 me Turqinë dhe Greqinë, 3-2 me Izraelin. Në 25 ekipe Shqipëria zuri vendin e 12). Në vitin 1969 luan me përfaqësuesen në Kampionatin Botëror të Sofjes në gjashtëshen e parë dhe fitojnë me Greqinë, Rumaninë etj.

Vlerësimet për Ali Bushatin

Një karrierë e tillë kaq e pasur sportive e Ali Bushatit, nuk kishte se si të mos shoqërohej edhe me nderimet përkatëse ndaj kësaj figurë të shquar sportive, jo vetëm në prizmin lokal të qytetit të Shkodërs, por edhe në atë kombëtar. Kështu, për kontributin e madh që ai dha në fushën e sportit të volejbollit, Ali Bushati do të nderohej me Titujt: “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Mjeshtër i Madh” dekoruar nga Presidenti  i Republikës në vitin 2012. Njëkohësisht, është zgjedhur nga Gazeta Sporti Shqiptar në gjashtëshen e Shekullit, i katërti në gjashtëshe pas Petrit Murzakut, Asllan Rusit e Dashamir Fagut.

Është rënditur gjithashtu në 10 sportistët më të mirë të Shkodrës të shekullit. Ishte një volejbollist i gjithanshëm i rrallë si shuter, përgatitje të shkëlqyer teknike fizike e taktike, super i aftë në bllok e vijë të dytë, përgatitje të shkëlqyer akrobatike, pasues virtuoz dhe elegant, ngeces fin, etj. Ali Bushati ishte gjithashtu edhe një trajner shumë cilësor kur drejtoi në vitet 1975-85 ekipin e të rriturve dhe të rriturave të Vllaznisë së Shkodrës.

Veriu Sport shpreh respektin dhe konsideratën më të madhe për figurën e legjendes së volejbollit shkodran dhe atij shqiptar, Ali Bushati. Figurë, të cilën do ta kujtojë dhe respektojë, jo vetëm për atë çfar i dha sportit shkodran dhe atij kombëtar në përgjithësi, por edhe për atë që brezi më i ri të njihet dhe të ketë informacionin e duhur për ato që bënë histori duke qënë një motiv dhe nxitje më shumë që ato të ecin në gjurmët e këtylle kollëse të sportit shqiptar.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img