Friday, April 19, 2024

Opinion-Post Andorra dhe Prag Anglia, nën gjykimin e ish futbollistit të kombëtares Eduard Abazi

Lexo

Analiza për Andorra-Shqipëri 0-1

Në lojën me Andorrën më pëlqeu strategjia që kishte përgatitur stafi teknik duke pasur parasysh se në lojën e parë të gjithë ekipet janë të mirëpërgatitura dhe nxjerrin në vështirësi kundërshtarët e tyre.

Kjo pritej edhe në ndeshjen me Andorrën, duke pasur parasysh se në ambientin publik loja me Andorrën konsiderohej si një ndeshje e lehtë dhe e fituar nisur edhe nga niveli i lojtarëve cilësorë të kombëtares së Shqipërisë në raport me ato më modestë të Andorrës , por që unë do të thoja se është krejt e kundërta. Më përpara pashë lojën Portugali-Azerbajxhan ku ishte po e njëjta pamje siç ndodhi në përballjen mes Andorrës dhe Shqipërisë, ku Portugalia pati shumë vështirësi. Ku mos të them se me sulmin e fuqishëm që ka Portugalia nuk rrezikoi seriozisht në portën e Azerbajxhanit më tepër se tre herë.

Përsa i përket ndeshjes së kombëtares sonë me Andorrën, pjesa e parë ishte e një niveli të mirë të skuadrës tonë ku stafi teknik kishte montuar një strategji mjaft të mirë. Ekipi ishte i koncentruar me dëshirën e madhe për ta fituar lojën dhe për ta zgjidhur rezultatin që në pjesën e parë. Kjo u arrit me golin e Lenjanit, por që kishte mundësi edhe për një rezultat tjetër më pozitiv. Duke i uruar për këtë rezultat pozitiv, por duke i kritikuar për pjesën e dytë në momentin kur lojtarët nuk duhet të mendojnë për ndeshjen e ardhshme. Kjo mendoj unë që niveli në pjesën e dytë ishte më i ulët, sepse lojtarët tanë duke gjykuar se e kanë të sigurtë fitoren me Andorrën nisën të mendojnë se kanë një ndeshje të fortë ndaj Anglisë, gjë që dha ndikimin jo pozitiv në fushën e lojës. Menaxhimi i forcës fizike ishte një nga arsyet që mua më la për të dëshiruar, jo për faktin e cilësisë së lojtarëve tanë, por nga mënyra e mendimit, qoftë si individë apo edhe si kolektiv që filloi të mendohej që në pjesën e dytë për ndeshjen e ardhshme me Anglinë.

Prag Anglia

Sigurisht që Anglia është një ekip dhe kundërshtarë shumë i fortë, një ndër më të mirët në grupin tonë duke pasur parasysh edhe nivelin e kampionatit anglez, por unë do të thoja që ne i kemi të gjitha mundësitë të mendojmë krejt ndryshe. Sepse kombëtarja jonë është e formuar me lojtarë që marrin pjesë në ekipet europiane me kualifikim shumë të lartë duke marrë pjesë në Ligat e Kampioneve dhe Europiane. Kështu që lojtarët tanë e kanë fituar këtë eksperiencë dhe nuk mund të themi më që Shqipëria është më inferiore se sa ekipet me të cilët ajo përballet në kualifikimet e kampionatit Europian dhe Botëror.

Bazuar në të dy pjesët që zhvilloi kombëtarja e jonë me Andorrën, trajneri i Reja besoj se do të dijë të organizojë strategjinë e skuadrës për ndeshjen me Anglinë ku sigurisht niset nga objektivi për të marrur rezultat pozitiv. Unë do të thoja që faktori kryesor, ai i moralizimit të lojtarëve për këtë ndeshje është më e lehtë për trajnerin sepse në të tilla ballafaqime të gjithë duhet të jenë shumë të motivuar për ta luajtur këtë ndeshje sa më mirë. Dhe me këtë dëshirë dhe udhëzimet e stafit teknik, unë do të thoja se i kanë të gjitha mundësitë të marrin një rezultat pozitiv në këtë ndeshje.

Optimizmi

Ndoshta mund të isha më i kritikuari nga të gjithë dhe që kanë të drejtat e tyre të japin opinionet e tyre, por unë do të thoja që Anglia i ka edhe ajo arsyet e saj që t’i frikësohet ekipit tonë kombëtar. Çdo lloj kundërshtari në ditët e sotme ka rezervat dhe defiçitet e saj. Sigurisht që ne duhet të jemi të vendosur në fushë në atë mënyrë që në momente të ndryshme të dijmë që të saktësojmë mënyrën se si të shfrytëzojmë ato dobësi që do t’i shfaqen edhe Anglisë gjatë të 90-të minutave.

Përsa i përket kësaj dëshirës së madhe, qoftë edhe për një rezultat pozitiv, unë personalisht si Eduard Abazi do të dëshiroja që qeveria shqiptare t’i plotësonte dëshirën FSHF-s për të lejuar një pjesë të publikut të futet në stadium për t’i dhënë kurajo këtyre djemve, të cilët e meritojnë këtë mbështetje për të ndjerë ngrohtësinë e publikut, ku të gjithë e dëshirojmë që ato të marrin një rezultat pozitiv.

Unë personalisht jam me ekipin kombëtar në këtë ndeshje kundra Anglise, dhe sigurisht që si çdo shqiptar dëshiroj që të jetë një lojë e mirë dhe me rezultat pozitiv dhe që unë vertet e shpresoj dhe e besoj një gjë të tillë.

Duke i uruar fitoren me Adorrën, duke i uruar edhe një rezultat pozitiv me Anglinë, përshëndes edhe të gjithë publikun kuqezi me urimin që kemi një festë pas ndeshjes me Anglinë.

Ju përshëndes nga Portugalia, Eduard Abazi, trajner futbolli!

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img