Saturday, April 20, 2024

Po, kjo është Vllaznia, dhe nuk ka më asnjë dyshim!(Teuta-Vllaznia 0:0)

Lexo

Teuta – Vllaznia 0:0

E mërkurë, 28 nëntor 2020, stadiumi “Niko Dovana” i qytetit të Durrësit

Teuta: Frashëri, Todorovski, Hoxha, Arapi, Kuro, Aleksi(81’ Zogaj), Avdyli, Daja(75’ Zhunior), E. Vila, Bregu, Hebaj(65’ Krasniqi). Trajner: Edi Martini
Vllaznia: Zogovic, Gurishta, Adili, Imami, Isaevski, Krymi(85’ Ramadani), Marku, Kruja, Imeri(63’ Jonuzi), Da Silva(63’ Hoxha), Dilaver(63’ Dunga). Trajner: Thomas Brdaric

Gjyqtarë: E. Hamiti, D. Rexha, A. Zalla, K. Kola, E. Bastari, N. Bregasi

Nëse deri sot, kur Vllaznia u përball në Durrës me Teutën vendase, kishte ndonjë dyshim nëse skuadra kuqeblu është e vertetë në nivelet e rezultateve që ka regjistruar në këtë fillim sezoni, tashmë, pa as më të voglin dyshim duhet thënë se kjo është Vllaznia që duan tifozët shkodranë. Realisht, një gjë e tillë duhej thënë me gojën plot edhe pas ndeshjes me Tiranën në “Loro Boriçi”, por megjithatë, ndonjë dobësi e shfaqur gjatë ndeshjes, por edhe goli i fitores i realizuar në limitin e kohës shtesë, linte ndonjë shteg të hapur për të pritur edhe ndeshjen e radhës, atë me Teuten, prej së cilës Vllaznia do të merrte notën reale. Dhe, barazimi 0 me 0 përballë një Teute cinike në futbollin shqiptar, fituese e Kupës dhe Superkupës së Shqipërisë, dhe njëkohësisht e shfaqur si pretendentja kryesore për fitimin e titullit kampion, i japin asaj vlerësimin me notën pozitive. Komplimentet dhe vlerësimet me notë pozitive ndaj shkodranëve konfirmohen edhe më shumë duke përfshirë këtu edhe lojën në 20-të minutat e fundit me një futbollist më pak në fushë pas daljes me të kuqe të Isaevskit. 4 ndeshje, 10 pikë, është një bilanc mjaft pozitiv që vazhdon ta mbajë Vllazninë në majë të renditjes, me besim dhe oreks që këtë pozicion ta mbajë edhe në vazhdimësi deri në realizimin e objektivit për fitimin e titullit të 10-të kampion.

Ndeshja

Ndonëse durrsakët e drejtuar nga shkodran i Edi Martini konsideroheshin favoritë për fitoren e kësaj ndeshje, janë shkodranët e gjermanit Brdariç, ato që me rastin e artë të Arsid Krujës mund të kalonin në avantazh që në minutën e gjashtë të takimit. Më pas, ndeshja vijon me një lloj ekuilibri në fushën e lojës, ndërkohë që shkodrani Rubin Hebaj shënon një eurogol në të 41-tën minutë, por që anulohet për pozicion jashtë loje. Me rrjeta të paprekura 0 me 0 mbyllet pjesa e parë, ndërkohë që edhe në të dytën janë përsëri kuqeblutë që shtatë minuta nga starti i kësaj pjese rrezikojnë të parët me Dilaver. Durrsakët janë në kërkim të golit të fitores, ndërkohë që dalja me karton të kuq pas dy të verdhave i mbrojtësit të majtë Isaevski është një shans më tepër për to. Në të tilla kushte, loja sulmuese e vendasve shtohet edhe më tepër, por megjithë këmbënguljen e vazhdueshme në zonën kuqeblu, nuk arijnë të gjejnë golin e avantazhit. Nga ana tjetër, Vllaznia e tërhequr me të drejtë në mbrojtje të barazimit, nuk harron edhe të kundërsulmojë, madje sekondat e shtesës prej katër minutash, për pak sa nuk përsëriten skenat e katër ditëve më parë ndaj bardheblutë, kur një goditje standarte nga fundorja e djathtë e sulmit kuqeblu iu afrua së tepërmi golit, që nëse do të shënohej do të shkonte në kufijtë e të jashtëzakonshmes. Përfundimisht, Teuta-Vllaznia në barazim  0 me 0, rezultat që e mban Vllazninë me meritë në krye ta tabelës së klasifikimit duke e konfirmuar me plot të drejtë si skuadra e momentit, e cila tashmë ka shpalosur zyrtarisht kandidaturën për fitimin e titullit kampion.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img