Sunday, July 13, 2025

Pogradeci në delir, skuadra e drejtuar nga Ardian Mema një hap larg “Abisnet Superiore”

Lexo

Besa-Pogradeci 0-1(Shënues: Alidema 14’)

Besa:Ahmetaj,Greca(Abidun 71),Nonato,Abdulai,Dabo(Kapo 61),Nurja,Oliveira(Kruz 85),Ramilli(Spahiu 46),Stafa(Gjinaj 46),Migone,Goxha Trajner:Emiljano Çela

Pogradeci:Staniç,Danladi,Ivani,Shkulaku,Lila,Pius,Pengu,Zguro,Krasniqi(Vokrri 45+2),Raza(Berberi 60),Alidema(Kasmollari 60) Trajner:Ardian Mema

Gjyqtarë:Eldorjan Hamiti(Lezhë),Ilir Tartaraj(Fier),Erind Burgu(Fushë-Krujë),Kreshnik Cjapi(Fier) Var:Olsid Ferataj(Patos) Avar:Silvio Dyrmishi(Elbasan) Delegat:Eraldi Shera(Shijak) Vëzhgues:Idriz Gashi(Durrës)

Pogradeci ka thyer çdo parashikim dhe ka dëshmuar se në futboll,asgjë nuk është e pamundur për ata që besojnë. Në një finale shumë të luftuar në “Elbasan Arena” skuadra liqenore e drejtuar nga Ardian Mema,mposhti Besën me një supergol nga goditja e dënimit e Alidemës në pjesën e parë,duke vulosur një nga fitoret më të rëndësishme të viteve të fundit.

Në një atmosferë elektrizuese,ku tifozët pogradecarë u kthyen në lojtarin e dymbëdhjetë në fushë,skuadra mbrojti rezultatin me vendosmëri dhe shpirt gare të jashtëzakonshëm. Besa e Çelës,ndonëse pretendente dhe favorite në letër,nuk mundi të gjejë rrugën e golit dhe kështu e mbylli sezonin e saj me zhgënjim,ndërsa Pogradeci vazhdon të ëndërrojë dhe të jetojë një përrallë të bukur futbolli.

Ky ishte një tjetër kapitull i mrekullueshëm në rrugëtimin befasues të Pogradecit këtë sezon. Pas triumfit ndaj Burrelit në transfertë,ekipi liqenor përmbysi edhe një tjetër pengesë të madhe,duke eliminuar Besën dhe duke siguruar një vend në finalen vendimtare për ngjitjen në Kategorinë Superiore,ku do të përballet me Tiranën.

Entuziazmi i madh ka shpërthyer në qytetin juglindor. Tifozët,që kishin udhëtuar për të mbështetur ekipin e tyre,nuk u ndalën së brohorituri as për një çast,duke e kthyer stadiumin “Elbasan Arena” në një festë të vërtetë.

Presidenti i Pogradecit Armand Lilo,njeriu që i ka dhënë jetë dhe frymë të re projektit sportiv të klubit, kishte premtuar një premio të majme prej 15 mijë eurosh për fitoren ndaj Besës, një motivim shtesë që padyshim ka dhënë frytet e veta.

Por festa nuk mbaron këtu pasi shumë afër është sfida më e madhe, ndeshja me Tiranën ku gjithçka do të jetë në lojë. Dhe këtë herë, premioja pritet të jetë edhe më e madhe, një stimul i jashtëzakonshëm për të realizuar ëndrrën e madhe të rikthimit në elitën e futbollit shqiptar.

Pogradeci është një histori krenarie, sakrifice dhe besimi të palëkundur. Ëndrra vazhdon dhe qyteti buzë liqenit po përgatitet për të shkruar një tjetër faqe të ndritshme në librin e historisë së tij futbollistike.

Fatos LAMAJ

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img