Saturday, July 27, 2024

Post Polonia. Analiza e Shkëlqim Muçës: Mendoj se duhet të jemi krenarë me këtë skuadër që po ndërtohet!

Lexo

Humbja në Varshavë me Poloninë pas një 90 minutëshi të luftuar dhe dinamik për Kombëtaren Shqiptare lë pas një shije të keqe por në krahun tjetër, përveç faktit që nga kjo disfatë kuqezinjtë duhet të mësojnë, ata largohen nga kjo transfertë edhe me një sinjal shumë të rëndësishëm. Projekti i ri i Sylvinhos ka nisur të funksionojë. Ish-mesfushori i Kombëtares, Shkëlqim Muça analizon këtë disfatë me ftohtësinë e një eksperti.

“Normalisht që nuk po mbaron kjo histori, që luajmë mirë dhe humbim, na vjen keq sidomos për këtë ndeshje, sepse ishte e barabartë, e luajtur në nivelin më të mirë të mundshëm nga skuadra jonë, me shumë dëshirë, me shumë grint. Natyrisht që skuadra kundërshtare është me potencial, por kjo nuk u pa në fushën e lojës. Aty u panë dy ekipe të barabarta”.

Duket dora e trajnerit të ri…

“Natyrisht që ka filluar punë trajneri i ri, është skuadra e tij, u pa një skuadër me një frymë tjetër, me optimizëm, e rinovuar. Më jep shpresë se në këto eliminatore do të bëjmë më mirë. E rëndësishme është që të bëjmë një skuadër të së ardhmes. Nuk duhet vënë shumë presion për kualifikimin. Sigurisht që do na kënaqte të gjithëve, por unë mendoj se duhet të ndërtojmë një skuadër të mirë, me një mentalitet tjetër”.

Por cili ishte lojtari më i mirë apo surpriza e mbrëmjes së Varshavës në këndvështrimin e Muçës?

“Mihaj dhe Asani, që ishin dy lojtarët që u mendua se ishin rezerva, sepse po mungon Broja, Ismajli apo Gjimshiti, por bënë një ndeshje super dhe të japin garanci për skuadrën”.

Në një grup të tillë, ndoshta beteja do të mbetet e hapur deri në fund por favoritet janë po ato , Polonia dhe Çekia

“Futbolli është i çuditshëm ndonjëherë. Duke parë ndeshjen e parë, Çekinë me Poloninë menduam se çekët janë super, dominuan ndaj Polonisë. Në fillim menduam se Polonia ishte e para, më pas ndryshuam dhe thamë se Çekia qënka ekipi më i fortë në grup, por pas tri ditësh shkoi dhe u ndal në Moldavi, skuadër të cilën neve e mendojmë se do i marrim 6 pikët. Por nuk është kaq e lehtë, me këtë humbje të dy pikëve Çekia futet në valle bashkë me ekipet e tjera. Deri në fund gara do të jetë shumë e fortë”.

Por çfarë kishte më shumë Kombëtarja e vitit 1985, e fundit që arriti të shkëpuste pikë ndaj Polonisë në atë barazim 2-2 në transfertë ku Muça ishte protagonist?

“Jo, unë mendoj se futbolli ka ndryshuar shumë që nga ajo kohë. Kishim më shumë ndjenjë inferioriteti në atë kohë ndaj skuadrave të tjera, sepse të gjithë lojtarët luanin në Shqipëri, nuk luanim ndeshje miqësore. Sot ka ndryshuar, lojtarët luajnë në skuadra që luajnë futbollin e kohës. Ndjenja e inferioritetit nuk ndjehet, përgatitja, shpirti i garës ka qenë mjaft i lartë, ka cilësi. Mendoj se duhet të jemi krenarë me këtë skuadër që po ndërtohet. Është një brez që mund të na gëzojë shumë në çdo ndeshje që do të zhvillojmë”.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img