Saturday, July 27, 2024

Prag, Dinamo-Vllaznia. Trajner Dritan Mehmeti, kërkon fitore: E respektojmë Vllazninë, por do të bëjmë maksimumin të vazhdojmë rezultatet pozitive

Lexo

Dinamo City-Vllaznia është ndeshja më e rëndësishme e kësaj jave në Superiore. Trajneri Dritan Mehmeti ka folur në një konferencë shtypi për këtë sfidë, ku shpreson të vazhdojë serinë e rezultateve pozitive.

“Gjendja e skuadrës është e mirë. Kemi pasur probleme të vogla sa u takon dëmtimeve me Denisonin dhe Andonin. Stërvitja ka shkuar mirë, do të konsultohemi me stafin mjekësor për Denisonin, nëse do të jetë pjesë e ndeshjes apo jo.

Vllaznia ka pasur kohët e fundit një performancë shumë të mirë, jo vetëm me rezultate, por edhe me lojëra shumë të mira. Së fundi ka mundur Egnatian. Ka kualitete dhe besoj se do të jetë një ndeshje, që do të tregojë forcën tonë. Duhet ta vlerësojmë ashtu si duhet Vllazninë. E respektojmë dhe do të bëjmë maksimumin për të fituar.

Përpos sukseseve që kanë pasur dy skuadrat javët e fundit, mendoj që çdo ndeshje ka historinë e vet. Nuk mund ta parashikojmë çfarë do të ndodhë nesër. Besoj se do të kemi një ndeshje që do të ketë edhe bukuri, sepse janë dy skuadra që janë në majat e futbollit shqiptar. Shpresoj të ketë rivalitet, por edhe lojë të bukur.

Faktorët e tjerë nuk ndikojnë. Jemi të vetëdijshëm sa i vështirë është ky kampionat dhe nuk e shikojmë fare renditjen. Jemi të përqendruar te ndeshja me Vllazninë, kjo është shumë e rëndësishme. Skuadrat kanë shumë pak diferenca mes njëra-tjetrës. Nuk e kemi luksin të mendojmë gjatë. Duhet të tregojmë forcën tonë dhe gjithçka t’ia lëmë fushës.

Faktori fushë në Superiore nuk vlen më. Ka rënë miti i fushës. Jam ndjerë shumë mirë kur kam parë tifozët e Dinamos në Korçë. Edhe Vllazninë besoj do ta ndjekin në këtë ndeshje.

Skuadra është përgatitur shumë mirë dhe tashmë është bërë automatizimi i veprimeve. Çdo skuadër ka nevojë për kohën e vet. Po kalojmë një moment të mirë, duhet të jemi të vetëdijshëm se çfarë kërkojmë. Duhet të sigurojmë Superioren, ky është objektivi ynë. Pastaj, sa do të tregojmë forcën tonë, duke menduar për më gjatë, do t’ia lëmë fushës.

Unë shikoj javë pas jave, nuk e shikoj fare në aspektin e renditjes. Është një kampionat i vështirë dhe nuk bëjmë llogari. Llogaritë tona janë te fusha, te stërvitja. Kur të kemi stabilitet rezultatesh dhe lojë, mund të pretendojmë më tepër”, tha trajneri Mehmeti.

Ndeshja me Dinamo-Vllaznia luhet sot, në orën 17:00, në stadiumin ‘Niko Dovana’.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img