Saturday, May 4, 2024

Rikthehet Elbasani. Vetëm dy vite formim nga klubi i ri, kualifikimi në kategorinë e parë festohet të enjten me hyrje falas dhe koncert në stadiumin “Elbasan Arena”

Lexo

E enjtja e 4 majit do të jetë një ditë feste në Elbasan. Ekipi i qytetit, i krijuar vetëm dy vite më parë, AF Elbasani, kurorëzohet kampion i Kategorisë së Dytë për Grupin B. Rrjedhimisht verdheblutë ngjiten në Kategorinë e Parë, ndërsa do të luftojnë për titullin e këtij sezoni të Kategorisë së Dytë në finalen me Vorën, që është kampione e Grupit A.

Përballjen e fundit, AF Elbasani do ta luajë me Tepelenën, një ndeshje që do të zhvillohet të enjten në orën 15:00 në stadiumin “Elbasan Arena”, për t’u dhënë mundësinë tifozëve edhe kremtimit sa më komod pas arritjes së objektivit të skuadrës. Elbasani ka pasur një ecuri rekord, pasi nuk ka humbur asnjë ndeshje në takimet zyrtare. Këtë trend skuadra e Eriol Merxhës do të përpiqet ta ruajë deri në fund, për më tepër që do të luajnë në shtëpi dhe e ka detyrim moral për ta mbyllur pa asnjë humbje kampionatin në Grupin B.

HYRJA E LIRË – Burime të “Panorama Sport” në klubin verdheblu, tregojnë se hyrja në stadium të enjten do të jetë e lirë për të gjithë tifozët. Kështu, sportdashësit elbasanas do të festojnë me ekipin ngjitjen në Kategorinë e Parë. Nga ana tjetër, edhe vetë tifozët kanë nisur organizimet për të qenë sa më të shumtë në numër. Pritet që të ketë një prani rekord, duke u nisur edhe nga ndeshja e Pogradecit, që pati mbi 4 mijë të pranishëm në shkallët e stadiumit. Sakaq, do të ketë edhe shumë të ftuar nga bota e sportit dhe jo vetëm për të kremtuar këtë ditë. Me pak fjalë, Elbasani pret të ketë një stadium të mbushur, edhe pse bëhet fjalë për një trofe modest.

KONCERTI – Për ta bërë atmosferën sa më festive, një orë më herët para se të startojë sfida, do të mbahet një koncert ku do të jenë të ftuar valltarë dhe këngëtarë, të cilët do të performojnë në stadiumin “Elbasan Arena”. Detajet e të ftuarve nga bota e artit nuk bëhen ende të ditura, pasi organizimi sapo ka nisur, por paraprakisht mendohet të jenë këngëtarë të qytetit të Elbasanit dhe jo vetëm. Në fund, sido që të shkojë ndeshja, pasi Elbasani e ka siguruar matematikisht ngjitjen, do të bëhet edhe dorëzimi zyrtar i trofeut të kampiones së Grupit A nga zyrtarë të FSHF-së.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img