Klubi i Futbollit Vllaznia ka vendosur që të rikthejë në konkurimin e Kampionatit Vllazninë “B”. Një skuadër, e cila ishte në aktivitet vite më parë, por që më pas pati një shkrirje të saj duke u përqëndruar në konkurimin me ekipin e 21 vjeçarëve.
Drejtuesit e klubit kuqeblu kanë ndërmarrë këtë iniciative me qëllimin e mirë për t’i dhënë hapësirë aktivizimit të elementit të skuadrës së parë, atij kontigjenti që nuk do të ketë për momentin hapësirat e mundshme, si dhe në të njëjtën kohë edhe me element të tjera nga futbolli shkodran.
Trajner i këtij ekipi është miratuar të jetë Brikeno Bizi, i cili krahas karrieres së futbollist, ka një përvojë të gjatë edhe si trajner i ekipeve të ndryshme me Vllazninë si dhe klube të tjera futbolli. Nga sa mësohet, tekniku i ri Bizi, ka nisur menjëherë nga puna puna në formatimin e skuadrës, e cila do të nis shumë shpejt përgatitjet për konkurimin në Kampionatin Kombëtar të Kategorisë së Tretë.
Me formimin e ekipit “Vllaznia B”, klubi kuqeblu ka vendosur që skuadra e 21 vjeçarëve që më herët drejtohej nga trajneri Edmond Doçi të shkrihet duke i lënë vendin Vllaznisë B.
Njoftimi zyrtar i KF Vllaznia
KF Vllaznia ka vendosur të formojë sërish ekipin “B” i cili do të marrë pjesë në sezonin e ri të futbollit shqiptar në kategorinë e tretë. Bëjmë me dije se trajner i “Vllaznia B” do të jetë Brikeno Bizi. Të gjithë futbollistët e interesuar për t’iu bashkuar këtij ekipi, mund të kontaktojnë në numrin +355 69 522 7851.