Problemet fizike duket se po e pengojnë debutimin e Sergio Ramos me uniformën e Paris Saint-Germain. Gazeta franceze “Le Parisien” raporton se ish -legjenda e Real Madridit është ende larg të qenit në gjendje të luajë, duke shtuar se ende nuk ka një datë të caktuar dhe se tifozët parisienë “po bëhen të paduruar” si dhe shqetësohen.
Nga sa bëhet e ditur, pasi iu nënshtrua një ekzaminimi mjekësor në korrik, pa probleme të dukshme, mbrojtësi qendror spanjoll rezultoi në fund të muajit (gusht) me probleme fizike, që e penguan të bënte debutimin e tij me fanellën e PSG-së. Ekipi francez, në mes të gushtit, kishte lëshuar një deklaratë në të cilën saktësonte se kthimi i futbollistit spanjoll pritej pas impenjimeve me skuadrat përfaqësuese, në shtator. Në vend të kësaj, testet e fundit kanë treguar një gjendje fizike që ende nuk është optimale.