Sunday, April 28, 2024

Shitja e Vllaznisë, nesër ora 10.00 Ankandi mes tre konkurentëve të kualifikuar

Lexo

Procesi i “Shitjes me ankand të aksioneve të Klubit të Futbbollit “Vllaznia” sh.a. në masën 100%” do të ketë nesër fazën e dytë, prej nga pritet të mësohet se kush do të jetë fituesi i garës me tre kandidaturave, tashmë të zyrtarizuara që nga faza e parë. Në fazën e parë, atë të datës 11 maj, në praninë e  Njësise së Ankandit, subjektet e interesuara bënë dorëzimin e zarfave të dokumentacionit pranë Sektorit të Protokollit në Bashkinë Shkodër brenda afatit të caktuar siç ishte ora 10.00. Në mbyllje të seancës të parë, Njësia e Ankandit, pasi hapi dhe lexoi ofertat, në përputhje me nenin 35 të ligjit “Për ankandin publik” dhe me përcaktimet në rregullat e ankandit publik bëri të ditur zyrtarisht që në procedurën “Shitje me ankand të aksioneve të Klubit të Futbollit “Vllaznia” sh.a. në masën 100%”, morën pjesë 3 subjekte ofertuese. Më tej, gjithnjë nga komunikimi zyrtar me publikun, Njësia e Ankandit vuri në dijeni përfaqësuesit e subjekteve ofertuese që më datë 19.05.2021, ora 10.00, do t’u komunikohet rezultati i vlerësimit të dokumentacionit ligjor dhe ofertës ekonomike.

Alban Xhaferi,  Emiliano Zhupa, Almiro Gurakuqi në garë për blejren e Vllaznisë

Në vijim, burimet pranë komisionit përkatës kanë bërë të ditur se tre konkurentët e kualifikuar për këtë proces janë sponsori aktual i Vllaznisë, Alban Xhaferi si përfaqësues i kompanive që ai përfaqëson,  “Joni 5 sh.p.k” me përfaqësues Emiliano Zhupën, si dhe Almiro Gurakuqi me kompanitë që ai përfaqëson. Ndërkohë që bazuar në dokumentacionin e paraqitur prej tyre, mësohet se shifrën më të lartë e ka ofruar kompania “Joni 5 sh.p.k” përfaqësuar nga Emiliano Zhupa me shumën prej 1.3 milion Euro. Më pas është oferta e sponsorit të Vllaznisë, Alban Xhaferi me 625 mijë Euro si dhe ajo e kompanive të që përfaqësohen nga Almiro Gurakuqi me 575 mijë Euro.

Çfarë pritet të ndodhë të mërkurën?

Nesër,(të mërkurën) datë 19.05.2021, ora 10.00, Njësia e Ankandit do të komunikojë rezultatin e vlerësimit të dokumentacionit ligjor dhe ofertës ekonomike. Që do të thotë se pas verifikimit të dosjeve përkatëse, komisioni përkatës ka të drejtën ligjore që nëse ndonjë nga konkurentët e mësipërm rezulton të ketë mangësi në dokumentacion skualifikohet nga gara. Ndërkohë, nëse të tre konkurentët janë konform ligjit, komisioni vendos hapjen e ankandit, që tashmë shifra e shitjes së klubit kuqeblu nuk do të jetë më ajo e ofruar fillimisht nga Bashkia Shkodër  507 milion lekë, por ajo e deklaruar në fazën e parë nga kompania “Joni 5 sh.p.k” përfaqësuar nga Emiliano Zhupa me shumën prej 1.3 milion Euro. Procesi në fjalë pritet të jetë i hapur për të tre konkurentët, që do të  thotë se shifra e ofruar nga “Joni 5 sh.p.k” mund të ketë rritje në bazë të asaj që do të ofrojnë palët në garë deri sa të përcaktohet fituesi.

Ankimimi i palëve zvarrit proçesin…

Siç u theksua më lart, gara mund të vijojë e hapur mes tre konkurentëve për të përcaktuar fituesin, gjithnjë nëse të tre palët do të kualifikohen nga Njësia e Ankandit konform ligjit. Por, nëse njëra nga palët skualifikohet për mangësi dokumentacioni dhe ajo apelon për vendimin e marrë, atëherë lipas ligjit përkatës duhen pritur deri në 45 ditë për vendimin e ankimimit. Sipas ligjit të qeverisë për sportin, procesi i privatizmit të klubeve sportive, jo vetem i futbollit, por edhe për ato të shumësporteve duhet të mbyllet përpara datës 1 korrik 2021. Referuar rastit në fjalë, në rast se deri më këtë datë nuk rezulton të ketë përfunduar proçesi i privatizimit për shitjen e KF Vllaznia, atëherë një gjë e tillë kalon në kompetencë të Ministrisë së Ekonomisë.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img