Thursday, May 2, 2024

Shkodranët Zaganjori, Kiri dhe Tafili, pjesë e kombëtares U-19 për miqësoret ndaj Kosovës

Lexo

Tre shkodranë, por që aktualisht i përkasin tre klubeve të ndryshëm, por që të tre janë prodhim i Akademisë së Futbollit Vllaznia, janë grumbulluar në kombëtaren eU-19 për ndeshjet miqësore ndaj kombëtares së Kosovës.

Bëhet fjalë për Ersi Zaganjori i Vllaznisë, Tomas Kirin e Tiranës dhe Ensar Tafilin e Partizanit. Që të tre, futbollistë të spikatur në ekipet e tyre të Superligës së moshave, Kiri portjer titullar te bardheblutë të cilët u shpallën kampion të këtij sezoni dhe tashmë do të luajnë në Ligën e Kampioneve të moshave, si dhe dy mesfushorët sulmues, Zaganjori i kuqebluve dhe Tafili i të kuqve, të cilët pritet të jenë baza e kombëtareës U-19.

Cilësitë e mira të këtyre futbollistëve që premtojnë shumë për perspektiven, kanë nxitur stafin e kombëtares së madhe të drejtuar nga braziliani Silvinjo, që të jenë pjesë e seancave stërvitore të kuqezinjëve të mëdhenj, madje Tafili ka vijuar të stërvitet rregullisht gjatë dy ditëve të fundit, e premte dhe e shtunë, me minutazh të plotë në grupin e kuqezinjëve të mëdhenj, një sinjal ky shumë pozitiv për këtë ardhmen e këtyre futbollistëve.

Kombëtarja shqiptare U-19 e drejtuar nga Ervin Bulku do të luajë dy ndeshje miqësore kundër Kosovës më 14 dhe 16 qershor. Siç është bërë me dije edhe më herët nga Departamenti i Komunikimit në FSHF, kuqezinjtë e drejtuar tashmë nga trajneri Ervin Bulku do të luajnë këto dy takime miqësore në stadiumin ‘Kukës Arena’.

Tekniku Bulku ka zbardhur këtë të premte edhe listën me 26 lojtarët e grumbulluar për këto dy sfida, të cilët aktivizohen në kampionate brenda dhe jashtë vendit. 12 prej tyre luajnë në kampionatet e huaja, duke u aktivizuar me ekipe të mëdha si Arsenal, Sampdoria, Perugia, Brescia, Cercle Brugge etj., ndërsa 16 futbollistët e tjerë luajnë në kampionatin shqiptar.

Kuqezinjtë kanë nisur sot grumbullimin në Tiranë, ku do të zhvillojnë edhe seancat stërvitore në kuadër të përgatitjeve për këto dy sfida miqësore, që janë shumë të rëndësishme për Kombëtaren U-19. Për tre ditë, skuadra do të stërvitet në fushat e ‘Shtëpisë së Futbollit’, ndërsa më 13 qershor do të niset drejt Kukësit.

Një ditë më pas, më 14 qershor, kuqezinjtë do të zhvillojnë ndeshjen e parë kundër bashkëmoshatarëve të Kosovës, në stadiumin ‘Kukës Arena’ duke nisur nga ora 18:00. Sakaq, një ditë më vonë, më 16 qershor, Shqipëria U-19 do të luajë edhe takimin e dytë ndaj Kosovës, po në stadiumin ‘Kukës Arena’ në ora 10:30.

Shqipëria U-19 ka zhvilluar edhe ndeshje të tjera miqësore gjatë këtij viti, ato kundër Maltës U-19, ndërsa ka zhvilluar edhe disa seleksionime e grumbullime. Stafi teknik i ekipit kombëtar U-19, me në krye trajnerin Ervin Bulku do të ketë mundësinë të testojë grupin në këto dy miqësore dhe të provojë ekipin dhe lojtarë të rinj e të talentuar që vijnë në ekipin kombëtar U-19. Ndeshjet ndaj Kosovës konsiderohen si shumë të rëndësishme për ekipin kombëtar U-19, në kuadër të përgatitjeve për eliminatoret e Kampionatit Europian për këtë grupmoshë.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img