Tuesday, April 23, 2024

Shkodrës i shtohet një “Derby” tjetër, Vllaznia-KF Murlani, emocione dhe masivitet në rajonin verior

Lexo

Për vetë traditën dhe historinë e mirëfilltë që Shkodra ka të lidhur me sportin në tërësi dhe futbollin në veçanti, prej kohësh është thënë se ky qytet dhe rajoni i qarkut verior në përgjithësi e meriton të ketë më shumë se një skuadër në kategorinë Superiore. Hapat e parë u patën hedhur nga KF Shkodra, i cili pak vite më parë nën drejtimin e trajnerit Taip Piraniqi iu ofrua së tepërmi këtij objektivi. Ndërkohë, sinjale të tilla nuk kanë munguar të japin edhe Ada, Veleçiku, Tërbuni, të cilët me të drejtë kanë spikatur me duelet e derbyt, jo vetëm me ekipin e parë, por sidomos edhe në ato të moshave. Dhe, historia vazhdon, për të ardhur tek derbi më i ri që i shtohet Shkodrës, ai në mes Vllaznisë dhe KF Murlani.

KF Murlani

Siç e kemi bërë të ditur edhe më herët, pak muaj më parë në skenë ka dalë KF Murlani, një inciativë kjo e vëllëzërve, Përparim dhe Bledar Rraboshta, të cilët falë pasionit dhe lidhjeve të kahershmë që kanë me sportin financuan një projekt shumë ambicioz, i cili dita-ditës po merr formën e duhur. I vendosur në fushën sportive të Barbullushit, aty ku janë edhe ambientet stervitore të KF Murlani dhe krejt afër edhe kompleksi turistik Gardenland Resort që është edhe mbështetësi financiar i këtij klubi, shikohen çdo ditë të sterviten ekipet zinxhir të grupmoshave, që nga U-9 dhe deri tek ekipi i parë duke bërë të mundur që nën drejtimin e një stafi trajnerësh të përzgjedhur, me dhjetra dhe qindra fëmijë dhe të rinjë të asaj zone dhe më gjërë të realizojnë ëndërrën e tyre për t’u bërë futbollistë.

Derby shkodran

Amel Zagani, Suad Premçi, Eriol Krymi, Vahedin Pepa, Kristjan Gjoni, Sabjan Kraja, Ari Djepaxhia, Senad Kraja, Riad Gogla, Indrit Gjini, Nino Rrotaj, së bashku me ato që auktivizuan si zëvendësues gjatë ndeshjes, si Brajan Stafa, Vildan Kaçubela, Denis Ymeri, Soni Hoti, Bekim Muriqi, Festim Lani të drejtuar nga trajneri, ish futbollisti i njohur i Vllaznisë, Altin Xhahysa, do të mbahen mend si protogonistët e derbyt të parë në mes Vllaznisë dhe KF Murlani. Ndonëse një miqësore që përballi Vllazninë U-21 me Murlanin, në historinë mes dy klubeve, e shtuna e 26 dhjetorit 2020 do të mbahet mend për duelin e parë mes këtyre ky klubeve, i cili sipas pritshmërive do të pasohet edhe me përballje të tjera edhe më emocionuese gjatë periudhës në vazhdim. 3 me 1 në favor të Vllaznisë së drejtuar nga trajneri Fatjon Hasani ka përfunduar kjo ndeshje, ku autor të golave për kuqeblutë janë Rigers Sekja, Jozefin Rrasa, Amir Osmani dhe për Murlanin, Vildan Kaçubela. Por, përtej rezultatit, trajneri i Murlanit Atlin Xhahysa shprehet i kënaqur për paraqitjen e skuadrës së tij në këtë prezantim të parë zyrtar duke pasur përballë një kundërshtar cilësor që me të drejtë kryeson kampionatin e 21 vjeçarëve. Sipas Xhahysës, skuadra që ai drejton meriton vlerësime për qarkullimin e mirë dhe të dendur të topit, si dhe dëshirën për të dhënë më të mirën në fushën e lojës, tregues këto që garantojnë një të ardhme shumë pozitive.

Kategoria e tretë

Sipas rregullores së FSHF-së, skuadrat debutuese në futbollin shqiptar duhet ta nisin konkurimin e tyre në Kategorinë e tretë. Kështu po veprohet edhe me KF Murlani, i cili ndërkohë që po përgatitet intensivisht në proçesin stervitor, drejtuesit e klubit kanë sistemuar gjithçka sa i përket dokumentacionit për pjesëmarrjen në Kampionatin Kombëtar të kategorisë së tretë të futbollit shqiptar. Një gjë të tilë e konfirmon për Veriu Sport, edhe vetë trajneri Altin Xhahysa, i cili bën të ditur se aktiviteti i kësaj kategorie pritet të zhvillohet me sistem grumbullimi në muajin shkurt të vitit të ardhshëm. “Padyshim që objektivi ynë është për të fituar vendin e parë në grup, si dhe fitimin e së drejtës për t’u ngjitur një kategori më lart, në atë të së dytës. Mbështetja e dhënë që në hapat e parë të krijimit të skuadrës dhe që vazhdon të jetë aktuale edhe tani nga administratorët e KF Murlani, vëllezërit Përparim dhe Bledar Rraboshta, është një garanci e plotë që KF Murlani, shumë shpejt do të jetë pjesë e kategorisë së dytë, pastaj sipas shkallës së konkurimit, në të parën dhe për të mbërritur tek objektivi final, ai i kualifikimit në kategorinë Superiore.”, thotë Xhahysa, duke premtuar se një gjë e tillë do të jetë shumë shpejt një realitet i pritshëm. Që do të thotë, se krahas ballafaqimeve të niveleve të ulta, nuk do të jetë e largët dita që në stadiumin “Loro Boriçi” tifozëria shkodrane të shijojë derbin e mirëpritur të Superiores, Vllaznia-KF Murlani.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img