Friday, April 26, 2024

Volejbollisti shkodran Anton Qafarena, fiton Superkupën në Ukrainë dhe shpallet lojtari më i mirë i finales me 19 pikë të shënuara

Lexo

Volejbollisti i talentuar shkodran Anton Qafarena, i cili këtë sezon sportiv ka firmosur për skuadrën ukrainase VC Barkom-Kazhany po shkëlqen si një nga lojtarët më të mirë, jo vetëm të skuadrës së tij, por edhe në volejbollin ukrainas në përgjithësi. Përvojën e tij si kampion me Vllazninë si dhe titullar me peshë në kombëtaren shqiptare, Anton Qafarena e vijoi edhe me trofe të tjerë në Ukrainë. I tillë është edhe fitimi i trofeut më të fundit, atë që Qafarena e konkretizoi pasditen e sotme, ku skuadra e tij bëri të veten Superkupën e Ukrainës. Ka qënë një finale në mes skuadrës së Qafarenes, VC Barkom-Kazhany dhe  Volleyball Club Zhytychi, skuadër kjo që sezonin e kaluar ishte fituese e Kupës së Ukraines. 3 me 0 në favor të skuadrës së shqiptarit Anton Qafarena përfundoi kjo ndeshje duke e shpallur VC Barkom-Kazhany fitues të Superkupës së Ukraines.

Për shkodranin Anton Qafarena, mbrëmja e sotme shënoi një sukses të dyfishtë, pasi krahas trofeut të Superkupës së Ukraines si ekip, ai fitoi edhe një trofe tjetër individual, Kupën si lojtari më i mirë i ndeshjes me 19 pikë të shënuara. Është pikërisht kupa, me të cilin Antoni ka pozuar menjëherë pas marrjes së saj, ndërkohë që e dërguar posaçërisht për Veriu Sport duke preferuar ta ndante këtë sukses me të gjithë fansat e tij në Shqipëri dhe jashtë saj.

Në prononcimin dhënë me këtë rast, Qafarena thotë se fitimi i Superkupës nga ekipi i tij VC Barkom-Kazhany ishte mëse e merituar, pasi në të gjitha ndeshjet, përfshirë edhe atë finale, ka treguar një nivel shumë të kënaqshëm në fushën e lojës. Por, sipas Qafarenës, krahas Superkupës, skuadra e tij pretendon edhe trofe të tjerë. Konkretisht, synohet fitimi i titullit kampion, pasi në kampionat ato kanë të regjistruar vetem fitore. “Kampionati mbaron nga mesi i muajit prill të vitit të ardhshëm, dhe skuadra e jonë deri tani i ka të gjitha fitore, por jemi 5 ndeshje mangut nga ekipet e tjera për shkak se muajin e kaluar ekipi jonë ishte në karantinë dy javore, sepse disa lojtarë dolën pozitiv me Covid-19, por tash çdo gjë është në rregull dhe garantojmë se po shkojmë drejt suksesit të titullit kampion”, përfundoi për Veriu Sport, shkodrani Anton Qafarena, i sapo shpallur fitues i Superkupës së Ukrainës me ekipin e tij të ri, VC Barkom-Kazhany dhe lojtari i ndeshjes me 19 pikë individuale të shënuar prej tij.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img