Partizani, Ballkani dhe Struga kanë siguruar nga një biletë për fazën “playoff” të Conference League, aty ku do të jenë vetëm një hap larg grupeve. Të kuqtë kryeqytetas shkruan historinë duke kapërcyer turin e tretë në Ligën e Konferencës përballë letonezëve të Valmieras. Kampionët në fuqi kishin fituar sfidën e parë në transfertë me përmbysje në shifrat 1-2, teksa në “Elbasan Arena” u mjaftuan me penalltinë e Carës për të firmosur kualifikimin. Më shumë episode dhe më shumë këmbëngulje e shfaqur nga ana e skuadrës mike, por ekipi i Zekiç ia doli të fluturojë më tej, në “play-off”, aty ku do të ndeshet me Astanën e Kazakistanit.
Edhe Ballkani ia doli të katapultohet sërish në fazën “play-off”. Djemtë e Ilir Dajës eleminuan ekipin nga Gjilbraltari, Linkoln Red Imps me rezultatin e përgjithshëm 5-1, teksa në përballjen e sotme fituan 1-3 në transfertë. Kundërshtari i radhës për dardanët do të jetë BATE Borisov, “makthi” i Partizanit në turin e parë të Champions League.
Partizanit dhe Ballkanit i bashkangjitet dhe Struga e Shpëtim Duros që gjithashtu do mund të luajë një shans për të kapur grupet e Ligës së Konferencës. Maqedonasit eleminuan luksemburgasit e Suift Hesperanzh pavarësisht humbjes së sotme me përmbysje në shifrat 2-1. Fitorja 3-1 në sfidën e parë i jep të drejtën Strugës të konsiderojë si provën e radhës islandezët e Breidablik.
Sara Gjidiaj