Thursday, April 18, 2024

Super Laçi, barazim 0-0 në transfertën rumune me Universitatean dhe kalon në turin e tretë të Conferencë League

Lexo

Barazimi 0-0 në Rumani i çon bardhezinjtë e Duros në raundin e tretë për herë të parë

100 minuta betejë në Kraiovë për të mbrojtur një gol të ndeshjes së parë që e katapulton Lacin në raundin e tretë të Conference League, në një arritje historikë: shkojnë për herë të parë kaq larg në Europë. Merita është e të gjithëve, por mbi të gjithë teknikut Shpëtim Duro, trajnerit pa kontratë, që ka ndërtuar një skuadër solide e që luan me zemër. Është dashur pak nga të gjithë në fakt në transfertën rumune për të mbrojtur 1-0 e ndeshjes së parë, edhe pse impaktin më të mirë me ndeshjen e patën pikërisht kurbinasit.

Roganovic në minutën e 8’ e Malota në minutën e 22’ frikësuan Universitatean, që ndoshta e mendoi të thjeshtë përmbysjen e një goli në sfidën që luante në shtëpi. Rumunët u përballën me një kundërshtar agresiv, që nuk i dha paqe në asnjë sektor të fushës e që me kundërsulmin mund të bënte dëme të mëdha. Mazrekaj, aq fort i markuar në Elbasan Arena, bëri më shumë këtë herë, duke i dhënë frymëmarrje të tijve e duke e ngjitur skuadrën lart. Rumunët u panë vetëm njëherë vërtetë rrezikshëm në portën e Lacit në pjesën e parë, por edhe atëherë Koljic u përplas me reflekset e një Sherri spektakolar në minutën e 35.

Minutat që kalonin rritën konfidencialitetin e skuadrës së Duros, që megjithatë shpenzoi mundësi që mund ta penalizonin, duke parë si erdhi loja. Guindo nuk shfrytëzoi mundësinë e minutës së 44, por bëri edhe më keq 7 minuta pas rifillimit, kur i gjetur në zonë nga Zarubica goditi keq dy herë duke mos u besuar as vetë syve. Sulmuesi i ardhur nga Bylis, me rastet e humbura mbajti me shpresë Universitatean, që pikërisht në minutën e parë shtesë mund të gjente golin në mënyrë të pabesueshme.

Sherri devijoi si mundi duke e përplasur topin në shtyllë, për pritjen më të rëndësishme të takimit, atë që vlen kualifikimin. Pastaj 9 minuta shtesë, një goditje dënimi që fshikulloi shtyllën e kartoni i kuq për asistentin e Duros që protestonte për kalimin e kohës shtesë vetëm sa rritën adrenalinën tek bardhezinjtë që në fërshëllimën e fundit festojnë historinë e tyre të re, në të cilën tani i prêt Anderlecht.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img