Friday, April 26, 2024

Superiore, java e pestë Vllaznia-Kukësi, Djarmati dhe Zogoviç në konferencë për shtyp

Lexo

Vllaznia dhe Kukësi, do të ndeshen të dielen në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, sfidë kjo që luhet për llogari të javës së pestë të Superiores së futbollit shqiptar. Kuqeblutë vijnë në këtë sfidë pas barazimit në transfertë 0 me 0 me durrsakët e Teutës, pikë kjo e marrë, që së bashku me fitoret e tre javëve të mëparshme ndaj Apolonisë, Skenderbeut dhe Tiranës e mban Vllazninë në vendin e parë të tabelës së klasifikimit. Përballë do të ketë këtë radhë një skuadër si Kukësi, e cila edhe pse nuk e filloi mirë kampionatin, fitorja në javën e katërt ndaj Laçit i ka dhënë moralin e duhur për të kërkuar të njëjtën gjë edhe në takimin me Vllazninë. Në prag të kësaj ndeshje, drejtori sportiv i kuqebluve, Matko Djamati dhe portjeri Bojan Zogoviç, u shprehën optimist për të marrë një fitore ndaj kuksianëve dhe për vazhduar rrugën e rezultateve pozitive në ecurinë e kampionatit.

Përpara se të futej në atmosferen e pragndeshjes, drejtori sportiv, Matko Djarmati, preferoi të uroj shqiptarët për festen e shpalljes së pamvarësisë, ndërkohë që tha se këtyre festimeve do t’i bashkohej edhe Vllaznia pas ndeshjes me Kukësin duke shpresuar në një fitore te pikëshe. Ndërsa, sa i përket Kukësit, ai tha se do të kishte preferuar të ndeshej me këtë kundërshtar më herët, kur ai ishte në momente jo të mira, sepse sipas tij, tashmë kundërshtari është plotësuar në organikë si dhe forcuar në lojë. “Edhe pse statistikat e momentit flasin më mirë për Kukësin, Djarmati mendon ndryshe duke veçuar Vllazninë si një ekip tradite që qëndron më lart si klub, por që gjithësesi Kukësi i dhjetë viteve të fundit meriton respekt. “, tha ai. I pyetur për vendimin e mbrëmjes së premte që Këshilli Bashkiak mori në lidhje me privatizimin e 100 përqind të Vllaznisë, Djarmati, pranoi se është një vendim për tu respektuar, por më hollësisht për këtë çështje tha se do të ketë një konference shtypi nga drejtuesit e klubit. Në sfiden përballë Kukësit, Vllaznisë do t’i mungojnë dy titullarë, Isaevski dhe Da Silva, por, për Djarmatin, këto mungesa nuk do të ndikojnë në lojën e kuqëbluve, sepse sipas tij në skuadër ka kontigjent të mjaftueshëm për t’i zëvendësuar ato në fushën e lojës.

Ndërkohë, gjatë prononcimit të tij, portjeri Zogoviç, fillimisht flet për përshtatjen me skuadrën kuqeblu duke premtuar se do të lërë një shenjë pozitive në këtë klub.

“Jam prej tre muajsh këtu dhe jam përshtatur mirë me skuadrën dhe ambjentin. Kam ardhur tek një klub shumë i madh dhe nga informacionet që kam marrë, e di që me të kanë luajtur edhe disa lojtarë të tjerë nga Mali i Zi, por unë kam ardhur për të lënë një shenjë tek ky klub. E kemi nisur sezonin shumë mirë dhe kemi marrë 10 pikë në 4 ndeshjet e para dhe ne e kemi në dorë ta ruajmë këtë atmosferë shumë të mirë që ekziston tani tek skuadra jonë. Prandaj shpresoj të vazhdojmë me këtë ritëm edhe në ndeshjet e ardhshme.”, u shprehë gardiani kuqeblu.

Në përballjen me Tiranën, Zogoviç bëri një gabim fatal duke I dhënë mundësi bardhebluve të shënojnë, ndaj edhe e ka vuajtur jo pak një gjë të tillë. “E kam vuajtur gabimin ndaj Tiranës, por për fat ajo ndeshje u fitua nga ne dhe çdo gjë u kalua ashtu si duhet. Kam patur një dëmtim në dorë para dy javësh dhe ai thuajse ka kaluar tashmë, por kjo nuk më ka bërë asnjëherë të mendoj që të mos jem në portë.”, tha Zogoviç.

I pyetur , nëse do të arrijë ta mbrojë portën të paprekur ndaj Kukësit, ai premton që së abshku me mbrojtësit do ta bëjë një gjë të tillë. “Skuadra po luan mirë dhe nëse kemi pësuar vetëm 2 gola në 6 ndeshje, kjo do të thotë se kemi bërë mirë në lojën difensive. Në rradhët tona kemi lojtarë me përvojë dhe për rrjedhojë eksperienca e tyre na ka ndihmuar të arrijmë këto rezultate dhe të pësojmë pak gola. Sa i takon ndeshjes me Kukësin, e dimë rëndësinë e saj dhe mund të them se do të vdesim në fushë për të marrë një tjetër fitore.”, u shpreh ai.

Ndeshja Vllaznia-Kukësi luhet të dielen në stadiumin “Loro Boriçi: duke filluar nga ora16.45.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img