Saturday, October 12, 2024

Superiore-Laçi frenon Vllazninë, kuqeblutë ndëshkohen në fund me një gabim të portjerit

Lexo

Ndeshje e fortë, luftarake dhe plot rivalitet, ishte ajo e luajtur pasditen e sotme në stadiumin e Laçit mes ekipit vendas dhe Vllaznisë mysafire. Për nga mënyra se si po zhvillohej ndeshja, me raste dhe kundraraste në të dyja portat respektive, dhe sidomos kur minuta e 85-të kishte akoma në fuqi rezultatin e bardhë 0-0, dukej sikur Vllaznia do të përsëriste Partizanin e një jave më parë, kur shënoi në limit të takimit. Akoma më shumë të shtohej kjo ide kur Brdariç futi në lojë brazilianin Da Silva, dhe më pas edhe Krujën. Një dyshe kjo, sidomos i pari që ndaj Partizanit bënë diferencen në pjesën e dytë të aktivizimit të tyre. Por, këtë radhë formula nuk funksiunoi, pasi dyshja në fjalë nuk ishte në ditën e saj të mirë. Aktivizimet e tyre, jo vetëm që nuk e ndryshuan për mirë lojën e Vllaznisë, por përkundrazi ajo pati rënie duke i dhënë mundësi kundërshtarit të merrte komandën në fushën e lojës. Nga ana tjetër, atë që shkodranët e pritën me aktivizimin e dyshes Da Silva-Kruja, e bëri Laçi me Mentor Mazrrekajn. Me futjen e tij në lojë në të 61-tën minutë në vend të Julian Shehut, ai u shndërrua në çelësin e suksesit për trajnerin vendas Shpëtim Duro. Aftësitë teknike të shqiptarit të Kosovës bënë diferencen në fushën e lojës duke e shndërruar Mazrrekajn në liderin e skuadrës. Megjithatë, ajo që firmosi humbjen e Vllaznisë në këtë ndeshje ishte ai gabim i minutës së 87-të filluar nga mbrojtësit dhe i përfunduar nga portjeri Zogoviç, të cilët nuk arritën të ndalnin atë gjuajtje të lehtë dhe modeste të Xhixhës që shkoi në rrjetë.

Përpos humbjes së tre pikëve, ndoshta jo krejt të meritura në këtë ndeshje, ky gol i pësuar në fund të ndeshjes duket se theu mitin e shansit të fitoreve të Vllaznisë në minutat e fundit të ndeshjeve, kur kemi parasysh fitoret dramatike në limitet e ndeshjes ndaj Tiranës dhe Partizanit.

Megjithatë, edhe pse është mundur sot në Laç, me 19 pikët e siguruara në javët e mëparshme, Vllaznia vazhdon të qëndrojë në krye të tabelës së klasifikimit, pasi rivali më i afërt Kukësi që ka 16 pikë është mundur nga Kastrioti me rezultatin 1 me 0 duke e mbajtur në fuqi diferencën prej tre pikëve mes vendit të parë dhe të dytë.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img