Java e 17-të e Kampionatit Kombëtar të futbollit për kategorinë e parë ka në kalendar një përballje interesante. Bëhet fjalë për atë Tërbuni-Besëlidhja, ose më ndryshe, derbi verior. Dy skuadra, me dy tifozëri të zjarrta, që sa herë janë ndeshur njëra me tjetrën kanë dhuruar emocione.
Edhe këtë radhë, pritet të jetë e njëjta histori, në një ndeshje që pukjanët kërkojnë të ngjiten në grupin e skuadrave kryesuese dhe lëzhjanët që luftojnë për mbijetesë.
Por, ndër të tjera, ajo që e bën edhe më interesante këtë ballafaqim, që do të luhet këtë të shtunë në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës duke nisur nga ora 13:00, ka të bëjë me lëvizjet më të fundit në stafet teknike të të dyja skuadrave.
Një ndeshje kjo për tu parë, e cila pritet të jetë shumë e dyluftuar për vetë nevojat e domosdoshme që kanë të dy ekipet për të marrë pikët maksimale. Vendasit aktualisht në vendin e nëntë të renditjes me 20 pikë, duke kërkuar ringritjen aty ku ishin deri pak jëvë më parë, në grupin e katër skuadrave më të mira të kampionatit me pretendimet e kualifikimit në Superiore, dhe Besëlidhja e vendit të parafundit me 14-të pikë, në kërkim të mbijetesës në kategorinë e parë.