Tuesday, April 23, 2024

Tjetër zhgënjim i kombëtares Shqiptare. Edhe pse me një lojtar më shumë që nga minuta e 8-të. Barazim në shtëpi me Islandën duke mbetur e fundit në grup

Lexo

Pas asaj paraqitje zhgënjyese, në lojë dhe rezultat ndaj Izraelit në transferte tre ditë më parë që hodhi në erë të gjitha planet dhe objektivat e Shqipërisë për tu renditur në vendin e parë të grupit, Islanda ishte mundësia më e mirë për ta mbyllur me nder aventurën në Ligën e Kombeve.

Ndryshimet në formacion me lojtarë që duket se kanë etje për të dhënë më të mirën në fushën e lojës, me një super shans që i krijohet duke parë kundërshtarin të mbesë me një lojtar më pak në fushën e  lojës pas së kuqes së akorduar nga arbitri në dëm të kapitenit islandez Gunarson, duket se do ta ndihmojnë kombëtaren tonë të dalë fituese në këtë ndeshje.

Sinjalet janë të tilla, kur pas disa rasteve me protagonist Uzunin në super formë, vjen goli i avantazhit me autor Lenjanin në minutën e 33-të. Tanët vazhdojë të luajnë mirë edhe në minutat në vazhdim duke i patur mundësitë që të shkojnë në dhomat e zhveshjes për pushimin mes dy pjesëve të paktën edhe me një gol të dytë.

Por, pas kthimit në fushë, 45 minutat e dyta nuk janë si të parat. Islandezët, edhe pse vazhdojnë të luajnë me një futbollist më pak, duke përfituar nga një lëshim i lojës së kuqezinjëve, kërcënojnë disa herë për golin e barazimit, që nëse nuk shënohet, meritë ka edhe Strakosha në portë.

Përballë kësaj situate, Reja kërkon ndihmën nga stoli dhe rikthen në formacion të penalizuarit e Izraelit. Krahas Brojës në të 69-tën minutë, në fushë më pas janë edhe dy bashkëqytetarët e tij nga Malësia e Madhe, Hysaj dhe Çokaj. Dhe menjëherë Armando Broja shpërthen në spektakël duke marrë edhe ovacionet e publikut, sidomos me një aksion kur kalon edhe portjerin dhe kërkon që golin ta shënojë Uzuni, i cili gabon rëndë me gjuajtjen e tij.

Këtu mund të ishte vulosja e fitores për Shqipërinë, por atë që nuk e bëjnë tanët e realizon Islanda. Shënon pikërisht atëherë kur nuk ka asnjë mundësi për të korigjuar. Është minuta e shtatë shtesë, kur në sekondat e fundit të lojës, islandezët e barazojnë rezultatin në 1-1.

Një barazim që vlen për Islanden pasi me katër pikë e mban në vendin e dytë të grupit duke lënë Shqipërinë të fundit me vetëm dy pikë. Analizat për këtë pjesëmarrje të dështuar do të jenë padyshim nga stafi dhe specialistët e futbollit, por analizën dhe gjykimin më të mirë ia dha publiku me qëndrimin e tij në fund të ndeshjes.

Mbyllje më të keqe të ndeshjes dhe të konkurimit në Ligën e Kombeve nuk kishte si të ishte ndryshe, pasi edhe për mënyrën se erdhen rrethanat e fund ndeshjes, sollën një pakënaqësi totale të tifozërisë kuqezi. Tifozëri, e cila me të drejtë shpërtheu në pakënaqësi dhe akuza ndaj të gjithë kampit kuqezi në përgjithësi, deri në atë masë sa nuk pranoi bluzat e futbollistëve që u hodhën ndaj tyre.

 

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img