Saturday, April 20, 2024

Trajneret e së ardhmes, vajzat kuqezi rrëfejnë eksperiencën dhe falenderojnë FSHF-në për nismën

Lexo

Kombëtarja e vajzave ka nisur që prej ditës së hënë një grumbullim rutinë në Tiranë nën drejtimin e trajnerit Armir Grima. Veç seancave stërvitore të përditshme, disa prej vajzave po angazhohen edhe me kursin për licencën e trajnerit ‘UEFA B’. Një nismë e Federatës së Futbollit në bashkëpunim me FIFA-n, i dedikuar tërësisht për vajzat kuqezi, me qëllim rritjen e numrit të trajnereve vajza në futbollin shqiptar.

Në një prononcim për fshf.org, disa prej futbollisteve shqiptare, të cilat po zhvillojnë kursin për licencën e trajnerit ‘UEFA B’ shprehen shumë të kënaqura nga ky aktivitet, ndërsa vlerësojnë edhe nismën e FSHF-së për t’i pajisur me një licencë trajneri.

Arbenita Curraj e gjen shumë interesant kursin, ndërsa tregon se çdo gjë po shkon mirë dhe se ka mësuar gjëra të reja. Të ardhmen e sheh në futboll, e sigurisht, si një trajnere. “Është dita e tretë dhe deri tani ka shkuar gjithçka në rregull. Na duket shumë interesant si kurs sepse jemi mësuar gjithmonë të praktikojmë në fushë dhe jo në pjesën teorike. Janë disa terma që neve po na duken shumë interesante, disa gjëra që ne i dimë në fushën e lojës praktikisht, por na kanë munguar në pjesën teorike. Gjithçka po shkon mirë dhe shpresoj që të na shkojë kështu deri në fund” – thotë Arbenita, e cila falënderon FSHF-në për këtë nismë.

“E falënderoj shumë Federatën e Futbollit sepse në futbollin e femrave kemi pasur mungesë për trajnere femrash dhe uroj që të vazhdojë kështu dhe të kemi sa më shumë trajnere” – nënvizon Arbenita Curraj.

Synimet për të ardhmen?“Për momentin jam e fokusuar në futbollin aktiv, por që pas futbollit të luajtur shpresoj që të bëhem një trajnere e mirë. Pse jo?”

Ndërkaq, edhe Gresa Berisha nënvizon faktin se grupi i vajzave të regjistruara në këtë kurs po mëson sa më shumë, ndërsa thekson se e sheh veten si trajnere në të ardhmen.

“Kemi pasur nevojë që të kemi sa më shumë trajnere femra në futboll. Ndryshe është të jesh në fushë si lojtare dhe ndryshe është ta shikosh lojën si trajnere.  Po mundohemi të mësojmë sa më shumë sa më shumë gjëra që edhe ne t’i dimë kur të bëhemi një ditë trajnere dhe të mësojmë fëmijët në mënyrën më të mirë të mundshme.

E vlerësoj shumë, duke marrë parasysh që nuk ka shumë trajnere në futbollin e vajzave. Një nismë shumë e mirë, që një ditë të kemi sa më shumë trajnere vajza. Një ditë e shoh veten trajnere në futbollin e vajzave” – thotë Gresa Berisha.

Armera Tukaj nuk e mohon faktin që disa gjëra edhe mund të mos i ketë ditur më parë, ndërsa nënvizon se trajningu ndryshon shumë nga futbolli i luajtur. Në prononcimin për fshf.org, Tukaj shprehet se ndihet me fat që është pjesë e kësaj eksperience që i vlen për të ardhmen.

“Është një eksperiencë e re. Na vjen mirë që ne jemi ‘eksperiementi’ i parë. Mentori ynë, profesor Sulejman Starova po na përgatit mjaft mirë, si në pjesën teorike, ashtu edhe praktike. Kemi zhvilluar deri më tani tre seanca dhe do zhvillojmë edhe disa seanca të tjera praktike edhe teorike. Kemi mësuar shumë gjëra të reja. Tashmë jemi në një stad tjetër, jo më thjesht futbolliste, por edhe trajneret e së ardhmes. Ka shumë ndryshime nga futbolli i luajtur. Për shembull, në një nga seancat teorike që kemi zhvilluar, shumë gjëra nuk i dinim, por dinim veç anën praktike.

Si gjithmonë, Federata po na mbështet me eksperienca të reja dhe risi. Ishim me fat që u bëmë pjesë e kësaj eksperience dhe do të na vlejë sepse në të ardhmen, pasi të lëmë futbollin e luajtur, fokusi ynë është trajnimi”– përfundon Armera Tukaj.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img