“Armando është një lojtar shumë i talentuar nga i cili u impresionuam sezonin e kaluar”
Southampton ka konfirmuar nënshkrimin me sulmuesin e Chelsea, Armando Broja, në formë huazimi për një sezon.
“The Athletic” zbuloi javën e kaluar se 19-vjeçarit i ishte dhënë leja për t’u larguar nga Chelsea sepse klubi ishte pranë mbylljes së marrëveshjes me Romelu Lukaku nga Interi.
Fillimisht, plani ishte të lëvizte jashtë vendit dhe Chelsea mori ofeta nga Udinese dhe Anderlecht. Sidoqoftë, Southampton lëvizi shpejt për të siguruar nënshkrimin e tij.
Menaxheri i Southampton, Ralph Hasenhuttl tha: “Armando është një lojtar shumë i talentuar nga i cili u impresionuam sezonin e kaluar. Ai është i ri, por vjen tani me një sezon të plotë të përvojës në futbollin e nivelit të lartë me një ekip të mirë, sjell shumë cilësi që mund të na ndihmojnë”.
“Është një lojtar i fortë, i shpejtë me një instinkt të mirë dhe kjo e bën atë të përshtatshëm për mënyrën se si ne duam të luajmë. Unë e di se sa i vlerësuar është ai nga Chelsea, dhe mendoj se ky do të jetë një vend i mirë për të që të vazhdojë zhvillimin e tij gjithashtu”.
Broja shtoi: “Ndihem shumë i lumtur. Isha vërtet i emocionuar për t’u bashkuar me Southampton. Është padyshim një klub shumë i mirë i Premier League”.
“Ata kanë një histori dhe luajnë në ligën më të mirë në botë, kështu që është e mahnitshme që një lojtar i ri ta përjetojë atë, të jetë brenda dhe rreth një ekipi të Premier League, dhe të mësojë dhe të zhvillohet nga lojtarët më të vjetër, stafi dhe të gjithë këtu. Është një mundësi shumë e mirë”.
Southampton kishte nevojë për të forcuar linjën përpara pasi shiti anglezin Danny Ings tek Aston Villa javën e kaluar për 25 milionë euro.