Tuzianët në festë, KF Deçiqi, kualifikohet në gjysëmfinalen e Kupës malazeze

Tuzi, qyteti në territorin e Malit të Zi, që dominohet me popullsinë shqiptare është në festë. KF Deçiqi, skuadra që përfaqëson komunën e Tuzit, por edhe rajonin e Malësisë po bën një prezantim të shkëlqyer në aktivitetin futbollistik në shtetin fqinjë të Malit të Zi. Ndërkohë, që mban vendin e dytë në kampionatin e Superligës malazeze, menjëherë pas Buduçnostit të Podgoricës, Deçiqi arriti sot edhe një sukses tjetër duke u kualifikuar në turin gjysëmfinal të Kupës malazeze. Kjo u arrit me fitoren e realizuar pasditen e sotme në stadiumin e Tuzit ndaj skuadrës Sutjeska, të cilën e mundi me rezultatin minimal 1 me 0 me gol të shënuar nga Adrijan Rudoviç. Me një vend të dytë në kampionat dhe kualifikim në gjysëmfinalen e Kupës, është një tregues i qartë që për klubin e futbollit Deçiq, ky është padyshim një sezon futbollistik i shkëlqyer.

Merita shkon për vete futbollistet dhe stafin teknik, por padyshim që një meritë po aq të madhe ka edhe presidenti i këtij klubi, malësori i mirënjohur, Pal Dreshaj, ku që prej ardhjes së tij në krye të KF Deçiq, situata është tjetërsuar në mënyrën më të mirë.

Gaspër MARKU

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu