Friday, March 29, 2024

“UEFA Football Doctor Education”, Stesina: Mjeku sportiv & fizioterapisti mund të përmirësojnë cilësinë e sportistëve

Lexo

Kursi “UEFA Football Doctor Education” ka startuar në edicionin e dytë në organizimin e Federatës Shqiptare të Futbollit me pjesëmarrjen e 40 mjekëve dhe fizioterapistëve të rinj, të cilët duan të specializohen në fushën e mjekësisë sportive.

Programi udhëhiqet nga drejtuesit e Sektorit të Mjekësisë Sportive në FSHF, Gianluca Stesina e Ilvi Begolli, teksa të ftuar si lektorë kanë qenë emra të njohur nga Italia dhe Shqipëria në fushën e mjekësisë sportive.

Doktor Stesina ka shpjeguar të gjitha tematikat që janë trajtuar gjatë këtij kursi 3-ditor, duke theksuar faktin se ky program organizohet në bashkëpunim të ngushtë me UEFA-n dhe është shumë i rëndësishëm në formimin e profesionistëve të rinj.

Duke folur për Fshf.org, Stesina shprehet i kënaqur për impenjimin e të gjithë pjesëmarrësve dhe përfshirjen e tyre në diskutime në të gjitha tematikat.

“Ky është një kurs që na bën shumë krenarë sepse quhet UEFA Doctor Education dhe është një kurs i promovuar nga UEFA për të përmirësuar edukimin mjekësor në vendet ku UEFA është prezente. Jemi shumë të kënaqur sepse ky është viti i dytë i organizimit të këtij kursi me një numër në rritje të pjesëmarrësve. Këtë edicion kemi 40 pjesëmarrës në kurs, të cilët kanë qenë shumë të vëmendshëm dhe shumë të përfshirë në diskutime. Ky kurs zgjat për tre ditë dhe trajton të gjitha tematikat e mjekësisë sportive.

Në ditën e parë diskutuam për anti-dopingun dhe rëndësinë në rritje të luftës ndaj dopingut, teksa në Shqipëri po punohet me kontrollet anti-doping. Kemi diskutuar mbi rëndësinë e vizitës së mjekut sportiv, që realizohet si një vizitë për të përmirësuar dhe për të gjetur programe parandaluese, pra për të parë problematikat e sportistëve si në nivel ortopedik ashtu edhe në atë kardiologjik.

Për këtë kemi pasur si lektore doktoreshën, Elisabetta Toso, një nga kardiologët italiane më të njohura në botën e sportit”, – thotë doktori italian, duke nënvizuar edhe faktin se do të punohet ngushtë me përgatitësit atletikë në mënyrë që të punohet në parandalimin e dëmtimeve të futbollistëve si edhe në nutricionin sportiv për të pasur futbollistë sa më në formë.

“Në ditën e dytë kemi trajtuar aspektin psikologjik, një pjesë e madhe psikologësh po bëhen gjithnjë e më të rëndësishëm në botën e sporti dhe për këtë arsye kishim ftuar si lektore doktoreshën Vittoria Brai, një eksperte e psikologjisë në botën e sportit e cila punon me shumë skuadra futbolli, volejbolli e basketbolli në Itali. Gjithashtu, do të trajtojmë çështjen e nutricionit sportiv për t’u mësuar fizioterapistëve dhe mjekësve pjesëmarrës rëndësinë e ushqimit në futboll.

Në ditën e tretë do të kemi një diskutim edhe me përgatitësit atletikë në mënyrë që të kemi një bashkëpunim mes stafit mjekësor dhe përgatitësve atletikë për të përmirësuar rikuperimin dhe parandalimin e dëmtimeve.

Ideja është që mjeku sportiv dhe fizioterapisti të mund të përmirësojnë cilësinë e sportistëve tanë. Dihet se skuadrat që kanë më pak dëmtime janë ato që fitojnë më shumë në fushë, kështu që ne mund të mbështesim trajnerët, duke i pasur futbollistët sa më parë të gatshëm dhe në formën më të mirë fizike. Ky kur shërben për t’u mësuar mjekësinë sportive të gjithë mjekëve sportivë dhe fizioterapistëve në 360 gradë”, – deklaroi Stesina në prononcimin e tij.

Në përfundim të kursit, që zhvillohet në ambientet e Shtëpisë së Futbollit në Tiranë, të gjithë pjesëmarrësit do t’i nënshtrohen një testi vlerësimi dhe do të pajisen me certifikatën përkatëse.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img