Tuesday, October 8, 2024

“Vetëvrasje” e Vllaznisë, kuqeblutë munden në “Loro Boriçi” në kohën shtesë nga Bylisi. Kryesimi dhe titulli vihet seriozisht në pikëpyetje

Lexo

Vllaznia-Bylis  1-2

(Shënues: Dilaver 14′ / Spahiu 75′, Beji 90+3′)

E premte 12 mars 2021, ora 13.00, stadiumi “Loro Boriçi” i qytetit të Shkodrës

VLLAZNIA: Zogoviç, Gurishta, Adili, Imami(Shehi 86’), Krymi(Kalezic 65’), Jonuzi(Avdiaj 86’), Nijavexhi, Kruja, Imeri(Kalaja 65’), Cise(Ardit Hoxhaj 65’), Dilaver. Trajner: Thomas Brdariç

BYLIS: Qirko, Ymeralilaj, Janku, Stojanoviç, Loran, Nebihi, Ntephe(Harba 62’), Hadroj(Spahiu 72’), Ndreca, Beji, Mehmetllari(Kojiç 46’). Trajner: Veljko Dovedan

Gjyqtarë: Ardian Beqiraj(Tiranë), Uran Korra(Elbasan), Xhulio Mani(Tiranë). I katërt Orlando Kuka(Tiranë)

Delegat: Besnik Çela(Tiranë)-Vëzhgues: Ilirjan Kristo( Tiranë)

Komenti

Për Vllazninë, përballja e javës 24 me Bylisin konsiderohej mjaft e rëndësishme. Një gjë e tillë u pa qartë edhe nga heshtja për shtyp që kuqeblutë paten në pragndeshje me idenë që të ishin sa më të përqëndruar në fushën e lojës. Objektivi ishte për të marrur patjetër 3 pikëshin, i cili i mungon prej disa ndeshjes, sepse vetëm në këtë mënyrë Vllaznia mund të vijonte të qëndronte në krye të tabelës së klasifikimit për të vazhduar në realizimin e misionit të marrë përsipër, rikthimin e titullit kampion që në Shkodër mungon prej 20 vitesh.

Dhe, duket se gjërat po shkonin mjaft mirë kur në minutën e 15-të, Vllaznia e nis me gol. Pas një gabimi të mbrojtjes ballshiote, është Kruja që kroson nga e djathta duke i dhënë mundësi Haris Dilaver të shënojë nga një goditje brenda zonës së rreptësisë së miqve, golin e avantazhit. Vllaznia-Bylis 1-0. Kuqeblutë startojnë me gol në stadiumin “Loro Boriçi” duke marrur shumë shpejt avantazhin. Goli i avantazhit i jep moralin e duhur skuadrës së drejtuar nga Brdariç, e cila tashmë ka qetësinë e duhur për të vijuar presionin në kërkim të golit të dytë. Elom, Kruja, Dilaver dhe sidomos Imeri kanë mundësi të dyfishojnë shifrat e avantazhit por gabojnë veprimet e fundit përpara portës së Qirkos duke e mbyllur pjesën e parë me rezultatin 1 me 0 në favor të Vllaznisë.

Kuqeblutë e fillojnë pjesën e dytë aty ku e lanë në fundin e 45 minutave të para duke vijuar të ushtrojnë presion golin e dytë, por goli i qetësisë siç quhet në të tilla momente nuk del në dritë. Për ta bërë një gjë të tillë, Brdariç kërkon ndihmën e stolit. Në të 64-tën minutë hedhë në fushë treshen, Kaleziç, Ardit Hoxhaj dhe Kalanë duke ulur në stol Krymin, Sise dhe Demir Imeri. Skemë kjo që nuk duket të japë ndonjë efekt pozitiv në rritjen e forcës sulmuese të kuqeblu. Nga ana tjetër, në kampin ballshiot dallohet një rritje graduale e lojës së tyre, qarkullim i dendur i topit, shoqëruar me një lojë të rrezikshme në krahë. Prodhim i saj është edhe goli që miqtë arrijnë të shënojnë në minutën e 75-të me anë të Renato Spahiut që shfrytëzon një top të mbetur në zonën kuqeblu pas goditjes së kolegut të tij Antoni Beji.

Barazim në shifra 1me 1 që tund seriozisht skuadrën shkodrane duke rrezikuar seriozisht lënien e dy pikëve. Në të 86-tën, Brdariç fut në lojë edhe Avdijajn dhe Shehin duke larguar Jonuzin dhe Krujën. Tensioni në kampin kuqeblu rritet së tepërmi. Të gjitha topat shkojnë në zonën ballshiote, por miqtë, jo vetëm që mbrohen mjaft mirë, por duke gjetur hapësira në prapavijën vendase kanë luksin edhe të kundrasulmojnë, madje edhe rrezikshëm.

Po, nuk mbaron me kaq, sepse në minutën e dytë shtesë, skuadra e Dovedan merr një penallti në favorin e saj, kur pas një përplasje në zonën kueblu gjyqtari Beqiraj nuk heziton të drejtojë gishtin për tek pika e bardhë. Renato Spahiu, ai që shënoi golin e barazimit i kërkon stafit ballshiot të jetë ai ekzekutuesi i 11 metërshit, por Dovedan këmbëngul që të zbatohet ajo që është vendosur përpara ndeshjes. Antoni Beji ka qënë i besuari i stafit nëse do të kishte penallti gjatë lojës, dhe ashtu ka ndodhur. Ai goditur saktë me të majtën e tij duke e dërguar direkt në rrjetë. Festë në kampin ballshiot, e cila pas dy-tre minutash, kur dëgjohet vërshëllima përfundimtare e tiranasit Ardian Beqiraj, ajo merr përmasa edhe më të mëdha duke brohoritur të gjithë së bashku në mesin e fushës. Trium i ballshiotëve në “Loro Boriçi” që në një farë mënyre duket si një tip revanshi ndaj Vllaznisë, e cila në fazën e dytë mori një fitore të tillë dramatike në “Adush Muça” të Ballshit duke fituar në limit të takimit. Fitore kjo me mjaft vlerë për Bylisin që forcon pozitat në luftën për mbijetese që ka me rivalët e saj, Skenderbeu dhe Apolonia.

Nga ana tjetër, dramacitet dhe dëshpërim në kufijtë e një “vetëvrasje” për Vllazninë, e cila kurrësësi nuk mendohej se do ta mbyllte në këtë mënyrë ndeshjen. Humbja e 3 pikëve brenda në “Loro Boriçi” është mjaft e rëndë për skuadrën kuqeblu duke pasqyruar krizën që ka pushtuar këtë skuadër prej disa javësh. Humbje që kompromenton seriozisht mbajtjen e kreut të renditjes si dhe në vazhdim edhe fitimin e trofeut.

Gaspër MARKU

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img