Në 80 vjetorin e tij të lindjes dhe 65 vjetorin e kontributit si sportist dhe si mjek i ekipeve sportive Vllaznia, kryetari i bashkisë Shkodër Bardh Spahia, vlerësoi me titullin “Mirënjohje”, një prej emrave të shquar të sportit dhe mjekësisë shkodrane, Zyhdi Çobën.
Ceremonia në fjalë u zhvillua mesditën e sotme në zyrën e kryetarit të Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia me praninë e pjesëtarëve të familjes Çoba, si dhe miqve të afërt të doktor Zyhdisë, veteran të sportit shkodran, gazetarë sportivë, etj.
Krahas kreut të Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia që foli me shumë respekt për figurën e doktor Zyhdisë, për vlerat e doktor Çobës, folën me shumë respekt, edhe ish futbollistët shkodranë, Fatbardh Jera, Rauf Çanga, Ismet Hoxha, presidenti i KFF Vllaznia, Lazër Matija. Ndërkohë, që vetë mjeku sportiv Zyhdi Çoba dhe bashkeshortja e tij Kydret Çoba, falenderuan kryebashkiakun Spahia dhe FSHF-në, por edhe miqtë e afërt që e nderuan në këtë ditë të shënuar për familjen Çoba.
Aktiviteti në nderim të përvjetorit të 80-të të lindjes së mjekut të njohur sportiv shkodran, i konsideruar si një nga legjendat e gjalla të sportit shkodran në vite, Zyhdi Çoba, vijoi me një drekë festive shtruar në Bar Restaurant Elita nga familja Çoba.
(Video) Ceremoni-Kryetari i Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia, pret mjekun sportiv, Zyhdi Çoba. Dekorime në 80 vjetorin ne lindjes nga Bashkia dhe FSHF)
Gaspër MARKU