Sunday, July 20, 2025

(Video) Atletikë-Vllaznia, kampione për të 29-tën herë(17-të radhazi). Franko Burraj, rekord kombëtar në 200 m dhe shpallet sportisti më i mirë i kampionatit

Lexo

 

Atletika shkodrane rikonfirmohet si më e mira e atletikes shqiptare. Ashtu si edhe vitet e fundit, edhe sezoni sportiv i sivjetmi ka folur vetëm për ngjyrat kuqeblu, Pas katër trofeve të mëparshme të arritura në harkun kohor të dy muajve: Titulli Kampion Kombëtar me U-16, fitues të Kupës së Shqipërisë për të rritur, Kampionë Kombëtarë me U-18, Kampion Kombëtar për të Rinj (U-20), vjen edhe trofeu i pestë, titulli kampion në Kampionatin Kombëtar të të rriturve, i 87-ta për nga radha, që është edhe veprimtaria më e rëndësishme e vitit.

Një gjë e tillë ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes së 12 qershorit 2025 në stadiumin “Elbasan Arena”, aty ku për dy ditë me radhë 116 atletët më të mirë të Shqipërisë, përfaqësues të 11 ekipeve të  kampionatit kombëtar, garuan në të gjitha disiplinat e atletikës.

Ashtu siç premtoi para nisjes në aktivitet, kryetrajneri Albert Marashi, në krah të të cilit janë edhe kolegët e tij, Bruno Rrotani, Dorjan Tafa, Jetmir Jahaj Vllaznia ishte dominuesja absolute duke marrë vendet e para thuajse në të gjtha garat individuale.

Në përfundim ta aktivitetit, me 205 pikë të grumbulluara, Vllaznia është shpallur kampione për herë të 29-të, ku 17-të trofetë e fundit janë radhazi.

Ndërkohë, një tjetër sukses i atletikes shkodrane është sepse nga gjiri i saj doli edhe rekordmeni Franko Burraj. Një atlet ky i talentuar, i cili falë pëtgatitjes sistematike me trajnerin e tij Bruno Rrotani, përmirësoi rekondin kombëtar në vrapimin 200 m, ku nga 21:19 që ishte më herët i mbajtur po prej tij, e uli në 21:03 sekonda. Një rezultat ky, i cili me 1062 pikë olimpike të grumbulluara, ndikoi tek gjyqtaria qëndrore për ta shpallur atletin më të mirë të kampionatit.

Dita e parë

Titulli kampion i Vllaznisë, i fituar mbrëmjen e së enjtes në stadiumin “Elbasan Arena”, ka nisur të gatuhet që në ditën e e parë, kur pasditen e së mërkurës, atletët shkodranë fituan titujt e parë kampion individual

I pari që ka konkuruar nga Vllaznia në ditën e parë të aktivitetit ka qënë Leandro Çardaku, i cili vrapimin 100 metra, u rendit i pari me 10.80 sekonda.

Në vijim, për garën e 400 metrave, atleti tjetër shkodran Franko Burraj dominoi me kohën 46.46 sekonda duke fituar vendin e parë.

Një tjetër atlet shkodran u ngjit në podiumin e fituesit individual. Ai është  Sidrit Kopliku, i cili në garën e distancave mesatare e të gjata në 800 metra, regjistroi kohën 1:59.63.

Vllaznia spikati edhe në stafetën 4×100 m për meshkuj duke fituar vendin e parë me kohën 41.49 sekonda(Burraj, Leandro Çardaku, Durjon Idrizaj dhe Endri Rakaj), ndërsa në këtë disiplinë për femra, ishte Tirana e para me kohën 48.16 sekonda.

Dita e parë e kampionatit do të rezervonte edhe dy vende të tjera të para nga ekipi i Vllaznisë. Fillimisht ishte Muhamet Çengeli, i cili në garën e Kërcimit së gjati regjistroi një kërcim prej 7.37 metra, ndërsa Erisa Rrasa po e Vllaznisë arriti 5.20 metra duke qënë edhe ajo e para në këtë disiplinë.

Dita e dytë

Edhe në ditën e dytë, zhvilluar pasditen e së enjtë, Vllaznia vazhdoi të dominojë me fitimin edhe të titujve të tjerë kampionë individualë.

Më i spikaturi në këtë ditë ka qënë rezultati i arritur nga atleti i taletuar Franko Burraj, i cili përpos titullit kampion individual në vrapimin e 200 metrave, përmirësoi rekordin kombëtar të mbajtur po prej tij.

Kampioni i radhës nga ekipi i Vllaznisë për ditën e dytë të kampionatit, ishte Durjon Idrizaj ne 400 metra me pengesa me kohën 56:86. Sukses ky që u pasua me Sidrit Koplikun, kampion në garat e thellësisë 1500 metra me kohën 4’15”43.

Titulli i radhës për Vllazninë ishte ai në garën e Kërcimit së Larti me protagonist Glenis Haxhiaj që kërceu 1.90.

Luftë e fortë sportive u shfaq edhe në gropën e Kërcimit së Trehapësh, aty ku  Kolindo Kiri u shpall kampion me 14:82 metra metra.

Suksesi i ditës së parë në stafeten 4×100 m, u pasua edhe në ditën e dytë, por tashmë me një distancë më të madhe, 4×400 metra, ku falë përformacës së Franko Burrajt, Durjan Idrizajt, Muhamet Çangelit dhe Sidrit Koplikut, Vllaznia regjistroi kohën më të mirë  3’22”55. Duke u shpallur kampione.

Në pikëzimin e ekipit kuqeblu, duke e shpallur atë kampion kombëtar, kontribuan edhe atletët e njohur Leandro Çardaku ne 200 m me 22.12 sekonda, Muhamet Çangeli ne kërcim trehapesh me 14.46 metra, Erisa Rrasa ne kërcim trehapash me 10.86 metra, Durjon Idrizaj në 110 metra me kohën 14.90 sekonda dhe Endri Rakaj zuri vendin e dytë në 100 metra 10.92 sek si dhe në kërcim së gjati me 7.22 metra.

(Video) Pamje nga garat e Kampionatit Kombëtar të atletikës për të rritur zhvilluar në “Elbasan Arena”, ku Vllaznia u shpall kampione dhe Franko Burraj përmirësoi një rekord të ri kombëtar.

Gaspër MARKU

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img