Vllaznia-Flamurtari 0-1(Shënues: Erald Leci 26’)
Vllaznia e futsales nuk ia del të shkojë në finalen e madhe për titullin kampion. Kuqeblutë, kampion në fuqi, të cilët bënë një paraqitje të shkëlqyer në garën e Kampionatit Kombëtar duke e mbyllur të parët me diferencë nga rivalët, Tirana dhe Flamurtari, ndalen në ndeshjen gjysmëfinale të “Final 4”.

Skuadra e drejtuar nga trajneri-kapiten Alsid Tafili dhe drejtori sportiv Arben Xhaferi u ndesh pasditen e së dielës në Parkun Olimpik “Feti Borova” më Flamurtarin e Vlorës, duke luajtur njërën nga gjysmëfinalet e “Final 4”.
Padyshim, që vemendja e të gjithëve ishte tek dueli, Vllaznia-Flamurtari, takim ky i transmetuar drejtpërdrejt nga Portali “Veriu Sport”. Dy skuadra që në ndeshjet e kampionatit kanë dhuruar spektakël, ku në të dyja pati fituar Vllaznia me të njëjtin rezltat, 5-4.
Një pjesë e parë më e mirë nga Vllaznia, e cila dominoi për rreth 15-të minuta duke regjistruar disa raste goli, ndërkohë që 20-të minutëshi i pjesës së parë është më i mirë për Flamurtarin që e rrit ndjeshëm nivelin e lojës. Por, gjithësesi, gol nuk ka në këtë pjesë loje duke e mbyllur në barazim, 0-0.
Goli vjen, gjashtë minuta nga nisja e pjesës së dytë, me Flamurtarin që shënon me autor Erald Leci duke kaluar vlonjatët në avantazh 1-0.
Pas pësimit të golit, Vllaznia ushtron presion të vazhdueshëm në portën vlonjate. Rastet e shpërdoruara nga kuqeblutë janë të shumta, përfshirë edhe një shtyllë horizontale nga kapiteni Tafili në sekondat e fundit të ndeshjes, që nëse do të shkonte në rrjetë, ndeshja do të shkonte në shtesë.
Vërshëllima përfundimtare e arbitrit ndërkombëtar, Albano Stolaj, fikson fitoren e Flamurtarit me rezultatin 1 me 0.
Fitore kjo që i çon vlonjatët e drejtuar nga trajneri Marjo Kalus në finalen e madhe për titullin kampion që luhet ndaj Tiranës, e cila nga ana e saj eleminoi ekipin e Forcave të Armatosuara me rezultatin 10-2.
Me këtë humbje, e para në këtë sezon, Vllaznia e mbyll me zhgënjim kampionatin duke shpërdoruar gjithë atë punë model që ishte ndërtuar në këtë skuadër, që objektivin parësor kishte rikonfirmimin e titullit kampion.
Një humbje kjo, e cila u shoqërua me një analizë të zgjeruar në dhomat e zhveshjes nga Presidenti i KF Vllaznia Futsal, Fisnik Barbullushi. Një analizë kritike për rezultatin e ndeshjes, por që në fund e mbyllur me mesazhin, që Vllaznia e futsales, nuk do të dorëzohet për t’u kthyer më e fortë sezonin e ardhshëm sportiv.
(Video) Ndeshjen gjysmëfinale të futsales, Vllaznia-Flamurtari(pjesën e parë dhe të dytë), mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU


