Saturday, May 4, 2024

(Video) Gazetari dhe komentatori i njohur i sportit kosovar, Milaim Krasniqi nderohet me çmimin “Ismet Bellova”(pas vdekjes). Emocionet e djalit të tij, futbollistit Erjon Krasniqi, si dhe miqve dhe kolegëve Dëfrim Methasani, Gani Kosumi, Mehmet Krasniqi

Lexo

Në vazhdën e një tradite 15 vjeçare, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) organizoi këtë fundviti ceremoninë e ndarjes së çmimeve vjetore për gazetarët. Në ceremoninë tradicionale morën pjesë gazetarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës.

Veprimtaria e zhvilluar në mjediset e Hotel Tirana International, në prezencën e presidentit të Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesisë së Tij, zotit Bajram Begaj, përkrahur nga JTI, shënoi edicionin e 15 të ndarjes së çmimeve të konkursit “Vangjush Gambeta” për gazetarinë ekonomike si dhe të tjerë të rëndësishëm për gazetarët nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka ndarë dy çmimet e rëndësishme “Karriera” të cilat i kanë fituar: Elez Biberaj, drejtues i VOA dhe ish drejtues i programit shqip të Zërit të Amerikës dhe Augustin Palokaj, korrespondent i Grupit Koha nga Brukseli.

Çmimet e konkursit “Vangjush Gambeta “2023 i kanë fituar: Entela Bajramaj- Televizion-Shqipëri, Julian Hoxhaj, shtypin e shkruar/online, Zenel Miftari, Maqedoni e Veriut dhe Sanije Jusufi nga Grupi Koha.

Çmimi “Reporter i Vitit” është ndarë për gazetarin Osman Stafa, çmimi “Raportimi më i mirë i Vitit” për gazetarin Thimi Samarxhiu dhe çmimi “Ismet Bellova” për gazetarinë sportive post mortum iu nda gazetarit të Radio Kosovës Milaim Krasniqi.

Veriu Sport, ishte i pranishëm në këtë veprimtari, ku krahas emrave të tjerë të nderuar që u vlerësuan me çmimet përkatëse, u përqëndrua kryesisht në nderimin që iu bë gazetarit dhe komentatorit të mirënjohur kosovar, Milaim Krasniqi. Një nga figurat më të spikatura të publicistikes sportive mbarë shqiptare, ku krahas miqve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve që kishte në Shqipëri, ishte edhe një koleg dhe mik i nderuar i autorit të shkrimit dhe portalit Veriu Sport. Ndërkohë, që jo pak herë nuk ka hezituar t’i përgjigjej pozitivisht ftesave duke qënë i pranishëm në studiot e emisioneve sportive të qytetit të Shkodrës, qyteti të cilin ai çmonte dhe e dashuronte pafund.

“Emocion dhe privilegj që në ditën e dhënies së çmimeve të gazetarëve, propozimi ynë si union i gazetarëve sportiv, të merrte jetë dhe të nderonim kolegun dhe mikun e RTK Milaim Krasniqi, (pas ndarjes nga jeta) me çmimin “Ismet Bellova”. Zëri i sportit në radio Kosova dhe jo vetëm, jehoi për më shumë se 25 vjet, duke lënë gjurmë kujtesë në transmetimet e ndeshjeve të futbollit në Kosovë dhe Shqipëri. Gjithashtu Krasniqi do të mbahet mend edhe si një protagonist në urat e vëllazërisë dhe bashkëpunimit mes gazetarëve sportiv në Shqipëri dhe Kosovë. Mirënjohje Kryetarit të UGSH Aleksandër Çipa për mbështetjen dhe familjes së Milaimit e cila erdhi nga Prishtina për të marrë çmimin. Po ashtu falenderoj kolegët e RTK Gani Kosumi dhe Edmond Thaçi, që ishin të pranishëm në këtë çmim të përjetësisë dhe nderimit për Milin e paharruar”, shprehet gjatë ceremonisë, kolegu ynë Dëfrim Methasani, në cilësinë e drejtuesit të Unionit të Gazetarëve Sportiv të Shqipërisë.

Më poshtë, ju ftojmë të ndiqni prononcimin emocionues dhënë për Veriu Sport, nga Erjon Krasniqi, djali i Milaim Krasniqit, sot futbollist në kampionatin kosovar, duke bërë realitet dëshirën dhe merakun që kishte i ati për një gjë të tillë.

Ndërkohë, me të njëjtat emocione dhe respekt për figurën e Milaim Krasniqit, flasin edhe dy kolegët e tij gazetarë sportive, Dëfrim Methasani dhe Gani Kosumi, si dhe Mehmet Krasniqi, mik i familjes Krasniqi.

(Video) Pamje nga ceremonia e ndarjes së çmimeve të konkursit “Vangjush Gambeta” për gazetarët nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, pjesë e të cilit ishte edhe çmimi “Ismet Bellova” për gazetarinë sportive post mortum iu nda gazetarit të Radio Kosovës Milaim Krasniqi..

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img