Një mbyllje e vitit 2023 në mënyrën më të mirë. E prisnit një fitore kaq të thellë kundër Skënderbeut?
Ishte realisht një rezultat fantastik dhe kjo na ngroh shumë. Një fitore shumë e bukur, për më tepër që ekipi u shpreh mirë në fushë. U kënaqa edhe nga aktivizimi i të rinjve, pasi kjo na vlen edhe për të ardhmen e ekipit. Në mbyllje të fazës së dytë, mund të them që jam i kënaqur. Sigurisht që performanca e ekipit nuk ka qenë e mirë për një pjesë të kampionatit në fazën e parë. Mund të kishim bërë edhe më mirë, por mendoj se sërish duhet të jemi të kënaqur.
Pas gjithë atyre luhatjeve, sërish jeni në katërshe me pikë të barabarta me Tiranën, që ka golavarazh më të mirë dhe është në vendin e tretë…
Besoja se do ta mbyllnim në vendin e tretë, por kjo nuk ka rëndësi, pasi objektivi ynë është për të qenë në katërshe. Kjo skuadër ka kapacitetet dhe forcën e duhur për t’u ngjitur më lart. Kampionati është i gjatë dhe janë ende shumë pikë në lojë. Ne do të pretendojmë edhe për më tej.
Janë larguar tre lojtarë deri më tani, do të ketë të tjera ndryshime?
Është një proces që ka filluar tek Vllaznia, sidomos në aspektin dalës dhe jo në atë hyrës. Kemi bërë tri largime dhe jemi ende në bisedime për të tjera, më tepër për atë lojtarë që nuk kanë dhënë atë që pritej tek Vllaznia. Mendoj se kemi një grup të plotë dhe shumë të mirë, prandaj duhet të mendojmë që të bëjmë një merkato të zgjuar. Pra, të afrojmë lojtarë cilësorë dhe nëse këto do të mund t’i gjejmë që të jemi më të përforcuar dhe të gatshëm për pjesën e dytë të sezonit.
Jeni i kënaqur me stafin teknik dhe ndryshimet që bëtë në rolin e drejtorit?
Nuk është se unë kam qenë i pakënaqur me stafin që ishte. Tashmë duken rezultatet që ekipi ka marrë një qasje pozitive, si me rezultate dhe frymë pozitive. Edhe stafi i kaluar ka punuar, duke dhënë më të mirën, por me trajnerin e ri ka ndryshime pozitive edhe duhet vlerësuar.
Cila do të jetë axhenda e Vllaznisë në janar?
Do të bëjmë disa ditë përgatitore në Ulqin. Nuk mund të them për datën se kur do të shkojmë, por kjo është në dorën e stafit teknik.
Cila do të jetë axhenda e Vllaznisë në janar?
Do të bëjmë disa ditë përgatitore në Ulqin. Nuk mund të them për datën se kur do të shkojmë, por kjo është në dorën e stafit teknik.
Në ndeshjen ndaj Skënderbeut pati edhe një nismë sa i përket biletave, ku të ardhurat do të shkonin për shtresat në nevojë. I kënaqur me pjesëmarrjen e tifozëve?
Është një qasje sociale dhe është vetë Shkodra që ta lejon një gjë të tillë. Kishim një mbështetje nga tifozët, që unë i përshëndes bashkë me grupimin “Vllaznit Ultras”, të cilët kanë festuar 18-vjetorin e themelimit. Ata do të jenë një mbështetje e madhe për ekipin dhe për ne. Siç dihet, të ardhurat do të shkojnë për shtëpinë e të moshuarve dhe të fëmijëve në qytetin tonë. Është një qasje sociale dhe unë do t’i uroj të gjithëve një vit sa më të mbarë dhe gëzuar festat. Le të shpresojmë për një vit sa më të mbarë në të gjitha aspektet.
(Video) Prononcimi i presidentit të KF Vllaznia, pas ndeshjes, Vllaznia-Skënderbeu, 5-0. Superiore, java e 18-të.